Lidhje

Botohet raporti i ri OKB-së për SIDË-n - 2004-07-06


Në raportin e OKB-së thuhet se është bërë përparim i rëndësishëm përsa i përket sigurimit të mjekimeve për një numër më të madh viktimash të SIDË-s dhe përsa i përket arritjes së përkushtimit më të mëdh politik dhe financiar në luftën kundër sëmundjes fatale. Megjithë këtë, në raport thuhet se nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së virusit HIV dhe SIDË-s.

Vitin e kaluar, thuhet në raportin e OKB-së, pati 5 milionë të infektuar të rinj me virusin HIV, shifër kjo më e madhe se numri i të infektuarve një vit më parë. Në raport thuhet se numri i të infektuarve me virusin HIV ka arritur në 38 milionë vetë.

Këshilltarja e OKB-së për SIDË-n, Karen Stanecki, thotë se në Azi, ku jeton 60 për qind e popullsisë së botës, ka një rritje më të madhe se në çdo kontinent tjetër të botës, përsa i përket numrit të personave të prekur nga epidemia. Vetëm në vitin 2003, thotë zonja Stanecki, u infektuan më tepër se një milionë njerëz me virusin HIV.

"Gjithashtu alarmues është fakti që në vendet afrikane sapo kemi filluar të shohim ndikimin e SIDË-s në shoqërinë e këtyre vendeve, ndërkohë që numri i të infektuarve vazhdon të rritet dhe një numër i madh njerëzish po vdesin. Shkalla e këtij problemi në Afrikë është e dokumentuar mirë, atje ka 25 milionë njerëz të infektuar. Në se nuk veprojmë tani, 60 për qind e 15 vjeçarëve të sotëm nuk do të arrijnë moshën 60-vjeçare"-, thotë zonja Stanecki.

Në raportin e OKB-së thuhet se rajoni i Karaibeve është më i prekuri në botë pas Afrikës. Në raport gjithashtu thuhet se virusi HIV dhe SIDA po vazhdojnë të përhapen në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, sidomos për shkak të përdoruesve intravenozë të drogës.

Në raport thuhet gjithashtu se numri i të infektuarve është vazhdimisht në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore. Për këtë fajësohen kryesisht përdorimi në shkallë të gjerë në këto vende i ilaçeve kundër SIDË-s, për të cilat thuhet se i kanë bërë të bien në vetëkënaqësi disa prej njerëzve në këto vende të pasura.

Drejtori i Degës së Monitorimit dhe Vlerësimit të SIDË-s në Kombet e Bashkuara, Paul De Lay, pranon se nga programet për prandalimin e sëmundjes po përfitojnë më pak se një në pesë persona në të gjithë botën. Megjithatë, thotë ai, veprimtaritë për parandalimin e sëmundjes në radhët e të rinjve, si dhe disa suksese të tjera, janë shtuar së tepërmi.

"Në Afrikë, për shembull, 60 për qind e fëmijëve njihen nëpër shkollat fillore dhe 8-vjeçare me rrezikun e sëmundjes. Që nga fundi i viteve ’90 kjo shifër është rritur së tepërmi. Gjithashtu, një grup njerëzish më të ekspozuar ndaj sëmundjes, si punëtorët e seksit, të cilët njihen si një grup që mund të parandalojë përhapjen e virusit HIV, po përdorin gjithnjë e më tepër masat parandaluese për epideminë, siç janë prezervativët", -thotë zoti De Lay.

Në raport thuhet se janë shtuar së tepërmi shpenzimet për SIDË-n, por nevojiten më tepër. Vlerësohet që vitin e ardhshëm do të duhen 12 miliardë dollarë dhe deri në vitin 2007, do të nevojiten 20 miliardë dollarë për parandalimin dhe kujdesin në vendet në zhvillim. Kombet e Bashkuara thonë se financimet për SIDË-n janë rritur së tepërmi gjatë viteve të fundit, pjesërisht për shkak të nismës së qeverisë amerikane për SIDË-n. Por, thuhet në raport, ende janë siguruar më pak se gjysma e parave të nevojshme.// lk //

XS
SM
MD
LG