Lidhje

Irakianët kanë besim tek udhëheqësit e qeverisë së re sovrane - 2004-07-07


Irakianët duket se kanë besim tek udhëheqësit e qeverisë së re sovrane. Në një anketim të zhvilluar në 6 qytete të Irakut nga 9 deri më 19 korrik, më tepër se 70 për qind e të anketuarve thanë se kanë besim tek kryeministri Iyad Allawi. Mbi 80 për qind e të anketuarve janë shprehur se kanë besim tek presidenti Ghazi al-Yawar, dhe katër në pesë irakianë të përfshirë në anketim thonë se shpresojnë që gjendja në vendin e tyre të përmirësohet tani, pas dorëzimit të sovranitetit irakianëve.

Por pas dekada keqqeverisjeje nga ana e regjimit të Sadam Husseinit, Iraku vazhdon të ketë shumë sfida për të kapërcyer, midis të cilave edhe rindërtimi i infrastrukturës dhe krijimi i një ekonomie të qëndrueshme. Vendosja e sigurisë vazhdon të mbetet një përparësi. “Mercenarët e huaj dhe mbeturinat e Sadamit, - tha kryeministri Allawi, - po derdhin gjakun e irakianëve të pafajshëm”. Siç u shpreh zoti Allawi, ”Kryengritësit po përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”.

Lufta kundër terrorizmit në Irak është para së gjithash një luftë e vetë irakianëve. Presidenti George W. Bush tha se forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak ”për sa kohë që të nevojitet prania e tyre dhe për sa kohë ta kërkojë një gjë të tillë qeveria irakiane.”

"Terroristët janë të dëshpëruar dhe të zemëruar. Ata nuk kanë ku të fshihen. Ata e dinë se çështja e tyre po dështon dhe se koha është kundër tyre".

Terroristët nuk duan një Irak të lirë. Ata kanë kryer rrëmbime dhe vrasje të tmerrshme. Siç tha presidenti Bush, ”veprimet e tyre po bëhen përherë e më të egra dhe më gjakatare”.

“Ata mbulojnë fytyrat e tyre në videokasetat, ku kryejnë krimet e tyre. Por kapuçat e tyre nuk mund të mbulojnë fytyrën e ligësisë. Ne i kemi parë veprimet e tyre edhe më parë, në kampet e përqëndrimit nëpër botë dhe në gulag. Ne nuk do të kemi frikë nga asnjë ligësi dhe ne do të triumfojmë.”

Burrat dhe gratë e lira të Irakut do të jenë të aftë ta realizojnë dëshirën e tyre për liri. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do t’i ndihmojnë ata të dalin nga tirania, të rikthejnë sovranitetin e tyre dhe t’i ndihmojnë ata të hyjnë në rrugën e demokracisë. Dhe kur Shtetet e Bashkuara e japin fjalën, tha presidenti Bush, ato dinë ta mbajnë atë.

//ze//

XS
SM
MD
LG