Lidhje

50 vjetori i regjistrimit të parë të Elvis Preslit - 2004-07-07


Admiruesit e Elvis Preslit u mbodhën të hënën në Memfis të shtetit Tenesi për të festuar 50-vjetorin e regjistrimit të parë të Elvisit. Kënga ”That’s All Right” ishte regjistrimi i parë profesional i këngëtarit, që u realizua më 5 korrik në studion Sun dhe që shënoi fillimin e një karriere e cila ndryshoi muzikën pop në të gjithë botën.

Në Memfis kishin ardhur me këtë rast grupe muzikore nga i gjithë rajoni, të cilat dhanë shfaqje para derës së studios Sun. Shfaqja u ndoq nga më tepër se 2 mijë spektatorë.

Me rastin e përvjetorit, kitaristi i parë i Elvis Preslit, Skot Mur, ishte ai që shtypi sustën për transmetimin me satelit të këngës ”That’s All Right” në orën 11 të mëngjesit për rreth 1 mijë e 500 stacione radioje në të gjithë botën.

Në ceremoni morën pjesë edhe Isak Hejs, producenti që realizoi regjistrimet e Elvisit në vitet ’60 dhe ’70. Zoti Hajs tha se muzika e Elvis Preslit kishte elementë të muzikës kishtare, asaj countri dhe bluz dhe ajo i hapi rrugën artistëve të tjerë për të vazhduar me stilet jo-tradicionale të muzikës.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe këngëtari Xhastën Timbërllejk, i cili është nga Memfis.

"Elvis ka patur një ndikim të fuqishëm tek mua, kurdoherë më ka mbetur në mendje fakti që ai nuk kishte frikë të bënte diçka të ndryshme nga të tjerët. Që kur isha fëmijë, pikërisht kjo më ka lënë më tepër mbresa nga Elvisi. Më pëlqente shumë zëri i tij, ashtu si edhe muzika e tij, ngaqë ajo ishte e ndryshme, nuk ishte vetëm countri, as vetëm bluz, as muzikë kishtare dhe as rock and roll i pastër, por të gjitha këto të gërshetuara në një", - thotë këngëtari Timbërllejk.

Gjatë interpretimit të këngës ”That’s All Right” Presli shoqërohej me kitarrë nga Skot Mur dhe nga Bill Bllejk në bas. Në grup nuk kishte baterist, prandaj Bllejk i binte me forcë edhe dërrasës ku qëndronte në këmbë, për t’iu përshtatur të njëjtit ritëm.

Shfaqja u shoqërua me duartrokitje të fuqishme nga mijëra admirues të Elvis Preslit.

//ze//

XS
SM
MD
LG