Lidhje

Agjencia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar dhe Shqiperia - 2004-07-09


Ndihma për vendet e tjera ka qenë gjithmonë një nga përparësitë e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Dhe një nga organizmat e ngarkuara me këtë mision ka qenë Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Historia e saj fillon me planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore për rindërtimin e Evropës. Që atëherë misioni i agjencisë ka qenë të ndihmojë vendet për t’u rimëkëmbur nga fatkeqësitë, për të dalë nga varfëria apo për zhvillimin e reformave demokratike. Po cila ka qenë veprimtaria e kësaj agjencie në Shqipëri? Ndihmës-administratori i kësaj agjencie për programin e Evropës dhe Euroazisë, Doktor Kent R. Hill, ishte këto ditë në studiot e Zërit të Amerikës.

Albanian Service: Dr. Hill si do ta përshkruanit veprimtarinë e agjencisë suaj në Shqipëri?

Dr. Kent R. Hill: Në Shqipëri ne zhvillojmë po atë lloj veprimtarie që zhvillojmë në mbarë Ballkanin dhe në botë, veçanërisht në ish-vendet komuniste. Kemi një larmi programesh që kanë të bëjnë me reforma ekonomike dhe demokratike, po përpiqemi të punojmë në fushën e shëndetësisë, të luftës kundër korrupsionit dhe i kemi shpërndarë paratë e qeverisë amerikane në mënyrë sa më të efektshme drejt begatisë dhe demokracisë së plotë. Pra, ne kemi programe në shumë fusha. Për shembull, në sferën ekonomike, po përpiqemi të ndihmojmë shqiptarët që të saktësojnë se çfarë produktesh mund të jenë më të sukseshme në tregjet e huaja. Këtë e bëjmë në fushën e bujqësisë dhe jashtë saj, përpiqemi të nxisim edukimin mbi biznesin në shkollat e mesme, po përpiqemi të ndihmojmë sektorin bankar. Kohët e fundit u çel një bankë shqiptare në Greqi, e cila lehtëson dërgimin e kursimeve të emigrantëve për familjet tyre. Këto janë disa nga programet në sferën ekonomike. Në rrafshin politik, ne punojmë në reformat për shoqërinë civile, po punojmë me Organizata të ndryshme jo-qeveritare, me parlamentarë në Shqipëri; po punojmë në çështjet e shtypit dhe programi që më pëlqen më shumë në këtë drejtim, quhet “Heronjtë”, një seri dokumentarësh që paraqesin para publikut, shqiptarë që kanë bërë dhe bëjnë gjëra të mrekullueshme për të ndihmuar popullin dhe ekonominë e tyre.

Albanian Service: Siç e thatë edhe ju, Agjencia Amerikane për Zhvillim në Shqipëri, përveçse në programe në fusha të tilla si bujqësia, shëndetësia, biznesi etj., ka programe që kanë të bëjnë edhe me korrupsionin e trafikët e paligjshëm? A ekziston një bashkërendim i veprimtarisë së zyrave të agjencisë suaj në rajon përsa u përket këtyre fenomeneve?

Dr. Kent R. Hill: Ka një shkëmbim të konsiderueshëm idesh e mendimesh ndërmjet misioneve të ndryshme të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, pasi të gjitha vendet ish-komuniste po ndeshen me korrupsionin - një nga trashëgimitë që komunizmi la në rajon. Pa zgjidhur problemin e korrupsionit, reformat politike dhe ekonomike nuk do të funksionojnë. Në Shqipëri, ne bashkëpunojmë me një koalicion prej 200 grupesh vendase - të përfshira në koalicionin anti-korrupsion, por gjithashtu bashkëpunojmë me qeverinë për të ngritur çështjet për luftën kundër korrupsionit. Mendoj se në këtë drejtim janë arritur rezultate në Shqipëri, por mbetet ende mjaft për të bërë.

Albanian Service: A mendoni se Shqipëria gëzon një vëmendje të veçantë nga ana e agjencisë suaj?

Dr. Kent R. Hill: Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan janë mjaft të vëmendshëm ndaj Shqipërisë. Ata e dinë se Shqipëria ka kaluar ndër periudhat më të vështira krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte tepër e izoluar dhe e varfër. Dhe populli amerikan është i vetëdijshëm për përpjekjet e mëdha të Shqipërisë dhe për faktin që Shqipëria ka qenë një partner i vërtetë në luftën kundër terrorizmit. Edhe shqiptarët janë të vetëdijshëm se populli amerikan ka bërë maksimumin për t’i ndihmuar ata gjatë periudhës së ndryshimeve të mëdha në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Kështu që mendoj se ekzisotn një lidhje e veçantë shpirtërore ndërmjet dy popujve. Ne e konsiderojmë të një rëndësie të veçantë që Shqipëria të bëhet shtet plotësisht demokratik dhe i begatë.

XS
SM
MD
LG