Lidhje

SHBA: republikanët në Kongres bllokojnë një amendament të Aktit Patriot - 2004-07-10


Një dramë e jashtëzakonshme politike u shtjellua ditët e fundit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kur u hap për debat një propozim për të zbutur një ligj të miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Mosmarrëveshjet ndërmjet ligjvënësve republikanë dhe atyre demokratë pasqyrojnë në një farë mase mekanizmin politik në Kongres:

Thirjet e demokratëve të cilët përsërisnin fjalën ”turp”, në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe debatet që pasuan përfaqësojnë mosmarrëveshjen më të hapur në linja partiake pas një incidenti që tërhoqi vëmendje të madhe në fillim të vitit.

Gjatë diskutimeve për një projekt-ligj mbi shpenzimet buxhetore, një kongresmen demokrat paraqiti një amendament për të ndryshuar pjesërisht Aktin Patriot, të miratuar nga Kongresi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ligj i cili u jep autoritet të gjerë agjencive të rendit.

Në bazë të rregullores së Dhomës së Përfaqësuesve, një propozim mbahet i hapur për 15 minuta gjatë hedhjes në votë, por kur partia që ka shumicën e shikon se mund të humbë, ajo mund ta zgjasë edhe më votimin.

Kjo ndodhi kur kongresmeni i pavarur Bernie Sanders paraqiti një amendament, i cili tërhoqi mbështetje të konsiderueshme nga ligjvënësit republikanë.

Vetë udhëheqja republikane e ka kundërshtuar amendamentin, i cili do t’i hiqte Departamentit të Drejtësisë autoritetin për të kontrolluar listat e librave që njerëzit marrin në biblioteka ose në librari.

Me anë të një votimi të hapur, udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve arritën ta zgjasnin votimin për të bindur republikanët që ta refuzonin amendamentin. Ligjvënësi Sanders bëri këtë koment pas votimit:

“Çfarë mësimi u japim ne fëmijëve të Amerikës, kur nga njëra u themi të angazhohen në procesin politik në një vend të lirë, i cili zhvillon luftë për demokraci në botë, ndërkohë që nga ana tjetër manipulojmë votimin në Kongres? Ky është turp,” tha Sanders.

Revoltimi i disa ligjvënësve të kujton një skenar të ngjashëm në fillim të këtij viti kur republikanët e zgjatën për më shumë se 3 orë votimin mbi një projekt-ligj të rëndësishëm për të reformuar sistemin e financimit të shpenzimeve për ilaçet e të moshuarve në mënyrë që të arrinin fitore.

Republikanë si ligjvënësi David Dreier i justifikojnë këto metoda duke sjellë si shembull taktika të ngjashme të përdorura nga demokratët kur kishin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse ky proces është thjesht një ndër procedurat e shumta të funksionimit të Dhomës së Përfaqësuesve siç e cilësojnë republikanët, apo një sabotim i procesit legjislativ, siç shprehen demokratët, këto përplasje ndërpartiake shënojnë fundin e një paqeje të pashpallur ndërmjet dy partive. Përplasjet në linja politike kanë shënuar një ngritje të ndjeshme para se legjislatura e 108 e Kongresit të mbyllë sesionin e dytë dhe të fundit në përgatitje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

XS
SM
MD
LG