Lidhje

Përkujtohen viktimat e masakrës së Srebrenicës - 2004-07-11


Të nisur me autobusë dhe me automjete private nga mbarë Bosnja, mijra të afërm të viktimave të Srebrenicës shkuan sot në qytetin ku 9 vjet më parë ndodhi masakra më e rëndë e periudhës së pas luftës së dytë botërore në Evropë. Këtë vit ky përvjetor shoqërohet edhe me varrimin e trupave të 338 viktimave të masakrës, viktima të identifikuara kohët e fundit.

Ceremonitë nderojnë viktimat e 11 korrikut 1995, kur forcat serbe vranë afro 8 mijë burra dhe djem myslimanë, duke shënuar masakrën më të rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore. Këto ceremoni janë një kujtim i dhimbshëm i luftës 3-vjeçare shkatërrimtare.

Deri tani ekspertë boshnjakë dhe të Kombeve të Bashkuara kanë zbuluar trupat e rreth 5 mijë viktimave në varre masive në Bosnjën lindore. Fati i të tjerëve mbetet i panjohur. Almija Cocaliç humbi dy djem gjatë luftës.

“Edhe sa trupa do të gjenden? Nënat e tyre mund të mos jenë gjallë derisa të identifikohen ata. Nuk di asgjë për dy djemtë e mi. Do të doja të kisha së paku një nga eshtrat e secilit, që ta varrosja. Kam marrë pjesë çdo vit në këto ceremoni përkujtimore dhe do të vazhdoj të vi derisa të vdes. Ne kërkojmë të vërtetën,” thotë zonja Cocalic.

Masakra e Srebrenicës në një qytet të shpallur në atë kohë si zonë e sigurt, ndodhi pak para përfundimit të luftës së Bosnjës, e cila shkaktoi vdekjen e 200 mijë vetave dhe la 1 milion e 800 mijë njerëz pa strehë.

Shumë familje u zhdukën plotësisht nga forcat serbe, të cilët i veçuan meshkujt, i larguan nga qyteti, i ekzekutuan në masë e më pas i varrosën në varre masive.

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karadzic dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mladic janë akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, por ende nuk janë kapur. Bosnja tani përbëhet nga Federata myslimano-kroate dhe Republika serbe e Bosnjës ku ndodhet edhe Srebrenica.

Muajin e kaluar zyrtarët serbë të Bosnjës pranuan për herë të parë se serbët e Bosnjës ishin autorë të masakrës së Srebrenicës.

XS
SM
MD
LG