Lidhje

Tadiç bën betimin si president i Serbisë - 2004-07-11


Boris Tadiç bëri sot betimin si president i Serbisë, me premtimin se do të përpiqet të sjellë qendrueshmëri në vend dhe se do ta afrojë në shumë Serbinë me Bashkimin Evropian. Zoti Tadiç i ka thënë më parë Zërit të Amerikës se ai është gjithashtu i gatshëm të fillojë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Duke bërë betimin në detyrën e re, 46-vjeçari Tadiç deklaroi përpara parlamentit dhe përfaqësuesve të 40 vendeve se ai do të jetë president i të gjithë qytetarëve të Serbisë, si pjesë e përpjekjeve të tij për të krijuar një shoqëri më demokratike dhe më të larmishme nga pikpamja kulturore pas një dekade luftrash ballkanike dhe shumë vitesh izolimi ndërkombëtar.

Presidenti i ri i Serbisë deklaroi gjithashtu se ka ndërmend të vazhdojë trashëgiminë reformiste të ish kryeministrit Zoran Djindjic, i cili u vra me atentat vitin e kaluar në Beograd.

Zoti Tadic i tha më parë Zërit të Amerikës se ai është gjithashtu i gatshëm të fillojë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, ku shqiptarët kërkojnë pavarësi.

Presidenti i ri tha sot se synimet e Serbisë janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, të cilën ai e shikon si ”mënyrën më të përshtatëshme për të siguruar një jetë më të mirë për njerëzit."

Ivan Vojvoda, ish këshilltar për politikën e jashtëme i zotit Djindjic, tha se kontaktet që zoti Tadiç ka me Perëndimin do ta ndihmojnë atë për arritjen e këtij synimi.

"Gjithmonë ka patur një bashkëpunim të ngushtë midis Perëndimit dhe Boris Tadiçit, presidentit tonë të ri, kur ai ishte ministër i mbrojtjes gjatë vitit të kaluar, kohë gjatë së cilës ai arriti rezultate të rëndësishme në reformimin e ushtrisë,” thotë zoti Vejvoda.

Disa analistë presin që gjatë mandatit të zotit Tadiç, një numër më i madh personash të akuzuar për krime lufte të transferohen në Gjykatën e Hagës. Ata përfshijnë Ratko Mladic, gjeneralin e Serbëve të Bosnjes të lidhur me krimet më të shëmtuara që nga Lufta e Dytë Botërore - me vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve të Srebrenicës në vitin 1995. Sot në Srebrenicë u përkujtua 9-vjetori i kësaj masakre.

Megjithatë, drejtorja e Institutit të Pavarur për Njoftimet mbi Luftën dhe Paqen në Sarajevë, Nerma Xhelaçiç, pret që Beogradi të përpiqet ta evitojë ekstradimin e katër gjeneralëve të tjerë të kërkuar nga Gjykata e Hagës.

"Për sa u përket katër gjeneralëve, që tani për tani ata nuk pranojnë t’i ekstradojnë, në vend të tyre ata mund të dorëzojnë Mlladiçin. Pra ekzistojnë shpresat se Mlladiçi do të përfundojë në Hagë dhe si shkëmbim, katër gjeneralët e tjerë të gjykohen në Beograd," thotë zonja Xhelaçiç.

Pritet që zoti Tadic të mbështetet në këto synime të tij nga kryeministri Vojislav Kostunica, i cili kohët e fundit la të kuptohet se kishte ndryshuar mendim rreth bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës, të cilën ai për një kohë të gjatë e quante antiserbe.

Megjithëse posti i presidentit të Serbisë është më tepër ceremonial, ai shihet si i rëndësishëm për nxitjen e demokracisë së brendëshme dhe përmirësimin e imazhit të saj ndërkombëtar.//ii

XS
SM
MD
LG