Lidhje

Uashington-Tiranë: marrëdhëniet kanë marrë domethënie të re me gatishmërinë e Shqipërisë si pjestare e koalicionit - 2004-07-13


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami thotë se qeveria e tij i jep rëndësi të madhe bashkëpunimit rajonal, diçka që ai shpreson se do të shërbejë për të nxitur anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Zoti Islami, i cili ndodhet në Uashington për një vizitë pune thotë se vendi i tij po përpiqet të zhvillojë frymën e dialogut për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të së kaluarës në rajon.

Aktualisht, Shqipëria ka dy objektiva të mëdha - anëtarësimin në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Ajo shpreson të ftohet për t’u pranuar në Nato aty nga viti 2006 ose 2007 ndërsa pranimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv më i largët.

Për Tiranën, Uashingtoni është partneri më i rëndësishëm strategjik dhe këto marrëdhënie partneriteti kanë marrë një konfirmim të ri me gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjestare e koalicionit kundër terrorizmit, diçka që administrata amerikane e vlerëson shumë.

Marrëdhëniet dypalëshe ishin në qendër të një takimi që Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell pati dje me ministrin e jashtëm shqiptar Kastriot Islami.

”Dihet tashmë që Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë kryesor strategjik dhe në këtë kontekst kemi biseduar jo vetëm për vazhdimin dhe thellimin e këtyre shkëmbimeve në fushën politike dhe diplomatike, por kemi prekur edhe dimensionin ekonomik të këtyre marrëdhënieve.”

Integrimi i Shqipërisë në institucionet euroatlantike do të varet nga fakti se si do të shikohet ajo nga Perëndimi. Dhe si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian do të dëshironin që të shikonin politika të moderuara në rajon. Zoti Islami thotë se kur fqinjët shkojnë mirë me njëri tjetrin, krejt rajoni shkon mirë.

Ministri i jashtëm shqiptar i tha Zërit të Amerikës se vendi i tij po përpiqet që me një politikë të moderuar të sjellë vlerë të shtuar në procesin e pranimit në Nato dhe në Bashkimin Evropian.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë kanë formuar të ashtuquajturën Kartë të Adriatikut, një partneritet që synon t’i ndihmojë këto vende të anëtarësohen më shpejt në Nato.

Ministri Islami shpjegon se ka rëndësi që fryma e Kartës së Adriatikut të përhapet edhe tek vende të tilla fqinje si Bosnja dhe Serbia e Mali i Zi.

Ai thotë se problemet e së së kaluarës në Ballkan duhen zgjidhur me frymën e dialogut. Brenda këtij viti, njoftoi ai, ose ministri i jashtëm ose kryeministri i Shqipërisë do të vizitojë Beogradin.

Kosova është ndër çështjet e rëndësishme të politikës së jashtëme shqiptare dhe ministri Islami thekson se qeveria është e vendosur të vazhdojë të luajë rol të moderuar në këtë aspekt.

”Duhet të kemi parasysh që Shqipëria synon zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por duke krijuar një mbështetje sa më të gjerë dhe sa më të madhe nga komuniteti ndërkombëtar.”

Roli i Tiranës në zbutjen e situatës së krijuar në Kosovë me ngjarjet e dhunshme të 17 marsit është pritur mirë nga Perëndimi.

Por vlerësimi i Uashingtonit është shoqëruar me kërkesat që Shqipëria të vazhdojë reformën ekonomike, luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar si dhe përpjekjet për zgjedhje të lira e të drejta, faktorë që do të nxisnin stabilitetin politik në vend.

Në planin e marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria po përpiqet të hyjë në shtetet që përfitojnë nga fondi amerikan i ashtuquajtur llogaria sfida e mijëvjeçarit, i cili shpërblen ato vende që me vendimet e tyre politike nxisin rritjen ekonomike dhe zbusin varfërinë.

Në një takim në Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, ministri i jashtëm i Shqipërisë i paraqiti administratorit të kësaj agjencie, Andrew Natsios, një raport zhvillimi. Zoti Islami i tha Zërit të Amerikës se ka shpresë që Tirana të përfitojë nga llogaria e mijëvjeçarit.

”Ne mendojmë dhe ndamë të njëjtin opinion që Shqipëria do të jetë me shanse të mëdha pjesë e vendeve që do të diskutohen më datën 23 korrik në Uashington.”

Qeveria shqiptare shpreson gjithashtu se do të përfitojë nga kontratat për rindërtimin në Irak. Deri tani kontratat kanë qenë për kompani relativisht të mëdha por ministri i jashtëm Islami thotë se zyrtarët amerikanë do të dërgojnë në Shqipëri ekspertë për të vlerësuar madhësinë e bizneseve dhe për të parë mundësinë e nënkontraktimit të tyre.//ii

XS
SM
MD
LG