Lidhje

Partia Demokrate e SHBA-së shpall planet për kuvendin kombëtar - 2004-07-14


Sondazhet e opinionit tregojnë se akoma shumë amerikanë nuk e njohin mirë senatorin John Kerry edhe pse ai pritet të emërohet zyrtarisht me 29 korrik si kandidat i partisë demokrate për zgjedhjet presidenciale. Prandaj, siç thotë kryetari i partisë demokrate Terry McAuliffe, fokusi i kuvendit të kësaj partie që fillon me 26 korrik në Boston do të jetë prezantimi te publiku amerikan i Senatorit John Kerry dhe i kandidatit për nën president John Edwards.

“Dhe ne do të shfrytëzojmë këto katër ditë në Boston për të prezantuar John Kerryn dhe John Edwards-in, do të flasim për të kaluarën e tyre, aftësitë e tyre dhe vizionin e tyre se çfarë mund të bëjnë ata që ta vënë këtë vend sërish në lëvizje. Motoja e kuvendit demokrat në Boston do të jetë: më të fortë në vend dhe të respektuar në botë”.

Senatorët Kerry dhe Edwards do të mbajnë fjalimet kryesore në këtë kuvend. Ndër përsonalitetet e njohura që do të mbajnë fjalime janë edhe ish presidentët Jimmy Carter dhe Bill Clinton si dhe ish nën presidenti Al Gore. Mes të tjerash do të ketë edhe një ceremoni nderimi për senatorin nga Massachuesets Ted Kennedy. Edhe republikanët po i shpejtojnë përgatitjet e e tyre për kuvendin katër ditor i cili do të mbahet në muajin gusht në qytetin e Nju Jorkut. Ndër personalitete që priten të flasin në këtë kuvend janë Guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger, senatori nga Arizona John McCain, ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani si dhe nën presidenti Dick Cheney. Presidenti Bush do të mbajë fjalim në natën e fundit të kuvendit, kur të pranojë emërimin nga partia e tij si kandidat për zgjedhjet presidenciale. Presidenti dhe përkrahësit e tij republikanë vazhdojnë të theksojnë suksesin në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e vendit. Presidenti e përsëriti këtë edhe gjatë një vizite në shtetin Michigan.

“Ne kemi kapur apo vrarë anëtarë kryesorë të Al Kaidës. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim ata deri sa të vendoset drejtësi dhe deri sa Amerika të jetë e sigurt”. Kuvendet politike amerikane e kanë zanafillën në vitin 1830 dhe grumbullojnë së bashku aktivistë politikë për të emëruar kandidatin presidencial. Por historiani i presidencës, Allan Lichtman, profesor në Universitetin Amerikan në Washington, thotë se roli i kuvendeve filloi të ndryshojë aty nga mesi i shekullit 20.

“Në fakt, 50 vitet e fundit kuvendet nuk kanë shërbyer për emërimin e kandidatëve presidencialë. Kandidatët sidomos në 30 vitet e fundit janë emëruar qysh në zgjedhjet paraprake. Pra kuvendet nuk emërojnë më kandidatët”.

Sot në kuvendet e partive aktivisëtët partiakë dhe delegatët mblidhen për të demonstruar përkrahjen e tyre ndaj kandidatit të caktuar përmes një serie zgjedhjesh paraprake dhe kuvendesh lokale. Analisti politik nga Uashingtoni Stuart Rothenberg thotë se roli i tanishëm i kuvendeve është që të shërbejnë si një reklamë katërditore për kandidatin e emëruar presidencial.

“Këto kuvende tani bëhen më shumë për median. Ato tani janë një shans për kandidatin presidencial - dhe jo për partinë - që të tregojë veten, të paraqesë qëndrimin e tij dhe të japë mesazhin se ky qëndrim do të jetë pozicioni kryesor në zgjedhje”. Por meqënëse kuvendet e tanishme janë aq të parashikueshme, ekspertët thonë se ato nuk kanë shumë ndikim te votuesit siç kishin më parë. Si rezultat rrjetet kryesore televizive nuk transmetojnë aq shumë sa transmetonin vite më parë nga këto kuvende duke ua lënë këtë rrjeteve të lajmeve me kabëll, të cilat kanë shumë më pak shikues.

XS
SM
MD
LG