Lidhje

Kryeministri Blair nuk e keqinformoi vendin në argumentin për të dërguar trupa britanike në Irak - 2004-07-14


Një hetim zyrtar britanik arriti në përfundimin se vlerësimet e qeverisë rreth informacioneve të zbulimit të para luftës lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Irakut ishin tepër të pasakta.

Por sipas këtij hetimi, i kryesuar nga ish zyrtari civil, Robin Butler, kryeministri Tony Blair nuk e kishte keqinformuar vendin kur argumentoi të dërgonte trupa britanike në Irak.

Në komentet që bëri në parlament, kryeministri Blair tha se mban përgjegjësi të plotë për çdo gabim të informacioneve të zbulimit lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Irakut. Megjithatë ai këmbënguli se asnjeri nuk gënjeu, asnjeri nuk trilloi dhe asnjeri nuk shtoi ndonjë gjë në dokumenta në kundërshtim me këshillat e shërbimeve të zbulimit.

Por udhëheqësi i partisë konservatore të opozitës, Michael Howard, vuri në pikpyetje kredibilitetin e kryeministrit, duke shprehur dyshime në se mund t’i besohet zotit Blair.

Kryeministri britanik e shfrytëzoi informacionin e zbulimit që të vendoste të dërgonte trupa në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Javën e kaluar, një komision i senatit amerikan arriti gjithashtu në përfundimin se shumica e informacionit të zbulimit amerikan të para luftës ishte tepër i pasaktë.

//ze//

XS
SM
MD
LG