Lidhje

Surroi: asnjë qeveri nuk mund t’i ndihmojë Kosovës në se ajo nuk i ndihmon vetes - 2004-07-14


Sot në programin televiziv ”Ditari” ishte i ftuar zoti Veton Surroi, analist dhe botues i gazetës ”Koha ditore”, i cili ndodhet në Washington për të marrë pjesë në një seancë dëshmish të organizuar nga Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, shkurtimisht, për çfarë do të dëshmoni sonte në Senat?

Veton Surroi: Për gjendjen në Kosovë. Më lutën që të tregoj gjendjen reale atje dhe unë mendoj se gjendja reale është një gjendje e stagnimit (lexo: gjendje amullie) dhe e bllokimit të përgjithshëm. Do të sugjeroj dhe propozoj format se si dilet nga ky bllokim, me ndihmën dhe natyrisht, me rolin prijës që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Sot është nënshkruar një dokument i përbashkët midis palës serbe dhe asaj shqiptare për krijimin e një ministrie në qeverinë e Kosovës për çështjet e pakicave, reformimin e pushtetit vendor dhe rindërtimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave. A mund të thuhet se kemi të bëjmë me një fillim i ri për Kosovën?

Veton Surroi: Është një vazhdimësi e përpjekjeve. Unë mendoj se është një gjest i mirë, por mendoj se duhen dy gjëra themelore: së pari, mendoj se duhet një politikë e re, dmth nuk mjaftojnë ministritë, por duhet një koncept i ri politik, dhe së dyti, brenda këtij koncepti të ri politik, duhet të kihet një lëvizje më e madhe se bartja e pushtetit. Shpresoj që jo vetëm do të kemi ministri për minoritete, por do të kemi një ministri, e cila do t’i mbulojë të gjitha aspektet e tjera të nevojshme në Kosovë, siç është rendi, siguria, etj.

Zëri i Amerikës: Tani kanë kaluar disa muaj nga dhuna e marsit dhe gjakrat siç thuhet janë ftohur dhe mund të gjykohet me qetësi. Megjithatë, imazhi i shqiptarëve disi ndryshoi në sytë e opinionit ndërkombëtar pas dhunës së marsit. A mendoni se qëndrime të tilla ektremiste të disa grupeve të caktuara në Kosovë, do të mund të parandalohen në të ardhmen?

Veton Surroi: Mendoj se siç thashë, duhet inciativa e duhur politike, duhen ndërmarrë hapa të shpejtë, që ta ndryshojnë gjendjen edhe në politikë, edhe në ekonomi, dhe unë mendoj se me masa pozitive do të parandalohet mundësia e ekstremistëve që të keqpërdorin një lloj ndjenje të përgjithshme frustracioni (lexo: irritimi), e cila ekziston tek shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë kemi parë këto dy vitet e fundit një ndërrim të vazhdueshëm të krye-adminsitratorëve, a ka qenë kjo diçka e mirë për Kosovën, apo ka ndikuar negativisht në zhvillimet e atjeshme?

Veton Surroi: Mendoj se jemi në një fazë stagnimi(lexo: amullie) dhe çdo kryeadministartor është thelluar edhe më shumë në baltën e Kosovës, të kësaj forme administrative dhe unë mendoj se nuk do pritur shumë prej kryeadminsitratorëve dhe përkundrazi, qytetarët e Kosovës duhet ta marrin iniciativën dhe ta shpien procesin përpara.

Zëri i Amerikës: A shikoni ndryshim në politikën e UNMIK-ut, pas dorëheqjes së administratorit Harri Holkeri dhe zëvendësimit të tij me kryeadministratorin e ri me zotin Jensen Petersen?

Veton Surroi Ende nuk ka ardhur kryeadminsitratori i ri. Ajo që është e qartë mendoj edhe për UNMIK-un edhe për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi, është se duhet të ndryshojë rrënjësisht roli i UNMIK-ut në Kosovë, nuk mund të jetë më menaxhues i përditshëm i nevojave të kosovarëve, por duhet të ketë një rol korrigjues. Nuk kam shumë shpresa dhe nuk jam shumë optimist se burokracia e Kombeve të Bashkuara do të bëjë ndryshime kaq radikale.

Zëri i Amerikës: Një pyetje lidhur me zgjedhjet presidenciale në Serbi. Zgjedhja e demokratit Boris Tadiç kundër radikalit nacionalist Tomislav Nikoliç, a duket si një oguri i ri, i mirë?

Veton Surroi Unë mendoj se tregon një inklinacion(lexo: prirje) paksa më pozitiv në Serbi. Dhe unë mendoj se ka qenë një angazhim i fortë i forcave demokratike, që së paku të mos të legjitimohet fashizmi me fitoren e zotit Nikoliç. Por unë mendoj se kriza politike në Serbi do të vazhdojë, përderisa mos të kalojë Serbia nëpër një lloj pastrimi të 10 vjetëve të fashizmit, nëpër të cilën ka kaluar ajo shoqëri.

:Zëri i Amerikës Zoti Tadiç është shprehur se ai do t’i fillojë bisedimet lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sa do të ndikojë kjo pozitivisht në zgjidhjen statusit të Kosovës?

Veton Surroi: Unë mendoj se Kosova nuk duhet të negociojë, aq më pak të kërkojë pavarësi nga Serbia. Unë mendoj se me Serbinë duhen zhvilluar tri rrafshe negociatash: në rrafshin e së kaluarës dhe të dëmeve që i ka bërë Serbia jo vetëm në njerëz, por edhe në shkatërime, e të tjera, dhe të gjitha pasojet e apartejdit të imponuara nga Serbia. Duhet të bisedojmë për problemet e tanishme, në fakt Serbia duhet të ndihmojë në mënyrë që të krijojë një ambjent më të mirë për serbët e Kosovës në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe kthimin, dhe së treti, duhet të projektojë këtu ardhmërinë, ku Kosova dhe Serbia, si shtete të pavarura ta projektojnë hyrjen e tyre në integrimet euro-atllantike.

Zëri i Amerikës Ju jeni një intelektual i shquar i letrave shqipe, por deri kohët e fundit keni qëndruar pa u përfshirë në politikë, megjithatë së fundi morët vendimin dhe jeni angazhuar me lëvizjen qytetare ”Ora”. Ç’përfaqëson lëvizja juaj?

Veton Surroi: Lëvizja është ndryshimi i konceptit politik në Kosovë me një ofertë konkrete për unifikimin e sistemit legal në Kosovë, për ndryshimin e qasjes ekonomike, për hapjen e vendeve të reja të punës. Do të thotë, prej kësaj letargjie politike, nëpër të cilën po kalojmë, ne kemi vendosur si qytetarë, të marrim iniciativën të hyjmë në këto zgjedhje edhe me një platformë të re politike, ta shpëtojmë Kosovën nga kjo fazë degraduese nëpër të cilën po kalon dhe të hyjë përfundimisht drejt krijimit të një shteti normal dhe jo vetëm drejt artikulimit, por drejt përmbylljes së statusit përfundimtar të Kosovës, që është pavarësia.

Zëri i Amerikës Tirana zyrtare është shprehur disi në mënyrë të moderuar ndaj zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, ndërkohë që analistë ndërkombëtarë, kryesisht amerikanë janë shprehur pozitivisht se zgjidhja e statusit të Kosovës drejt pavarësisë së saj do të ndikonte pozivisht jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Serbinë. Çfarë opinioni ekziston në Kosovë për këtë qëndrim të qeverisë shqiptare?

Veton Surroi: Unë mendoj se vëzhgohen me vëmendje të gjitha opinionet. Problemi esencial është se asnjë qeveri nuk mund t’i ndihmojë Kosovës nëse Kosova nuk i ndihmon vetes dhe Kosova këto vitet e fundit e ka dëshmuar me një klasë politike atë që kemi, se nuk është në gjendje t’i ndihmojë vetevetes. Unë mendoj se Kosova ka më shumë forcë se ç’përfaqësojnë strukturat e tanishme politike dhe me një ndryshim të kursit, në Kosovë, do të ketë edhe një përkrahje më të madhe ndërkombëtare në tërësi.

XS
SM
MD
LG