Lidhje

Roboti në sallën e kirurgjisë - 2004-07-15


Në spitalin e Universitetit George Washington në Uashington, një robot po ua lehtëson punën kirurgëve në sallën e operacionit. Në sajë të tij, operacionet po bëhen më të sigurt, më të lehtë dhe me cilësi më të lartë. Mjekët po ekspertimentojnë tani për të parë nëse roboti mund të përdoret në operacione më të komplikuara siç janë bajpaset apo kirurgjia e tumoreve kanceroze.

Spitali i Universitetit George Washington në Uashington. Mjekët dhe pacientët janë krenarë për ndihmësin e tyre të ri në sallën e operacionit. Ai quhet sistemi Kirurgjik Robot Davinçi dhe kirurgët që punojnë me të thonë se roboti po sjell një revolucion në punën e tyre. Dr. Jason Engle thotë:

"Mendoj se roboti Davinci përfaqëson të ardhmen, është hapi tjetër në kirurgji. Ne do të shikojmë se si ai do të sjellë një revolucion në shumë aspekte dhe se gjithnjë e më shumë gjëra do të bëhen me robot në të gjitha fushat."

Dr. Michael Manyak është shef i departamentit të urologjisë:

"Sistemi robot Davinci është në fakt një hap cilësor në teknologjinë e procedurave kirurgjikale. Ai lejon liri të madhe të lëvizjeje, pothuajse ashtu siç bën njeriu çdo ditë me lëvizjen e krahëve dhe të duarve. Ky është element i rëndësishëm sepse me anë të kësaj teknike nuk e ndjen më mungesën e lëvizjes."

Roboti ka tre elementë të ndërthurur: Sistemi i shikimit i jep kirurgut një pamje tredimensionale të punës dhe pamjet mund të zmadhohen deri në 10 herë.

"Avantazhi i robotit është se instrumentët mund të rrotullohen ashtu si duart dhe në të gjitha dimensionet që lejojnë duart. Roboti më lejon t’i shikoj gjërat me tre dimensione gjë që të jep një ide shumë më të mirë, pra ai të lejon të shikosh dhe të bësh me lehtësi gjëra shumë më të kompikuara që mjekët bëjnë në ditët tona, siç janë rikonstruksionet kirurgjikale", thotë mjeku.

Paneli i kontrollit i lejon kirurgët të manipulojnë instrumentet. Këtu ndodhet pulti i kontrollit elektronik të robotit. Tre krahët automatike të karrocës kirurgjikale mund të pajisen me instrumentë të ndryshëm që ndërrohen me lehtësi dhe reagojnë me precizion.

"Roboti Davinci na lejon të bëjmë relativisht me lehtësi gjëra tepër komplekse që në të kaluarën kanë qenë mjaft të vështira," thotë Dr. Engle.

Përsëri urologu Michael Manyak:

"Duke folur nga pikpamja e një urologu, për shembull në rastin e operacionit të prostatës, roboti bën që ulet mjaft sasia e gjakut që humb pacienti gjatë operacionit. Ai përmirëson aftësinë tonë për të parë prostatën dhe për të përcaktuar zonën e saktë se ku duhet të ndërhyjmë, në mënyrë që të ruajmë nervat. Dhe më në’ fund, roboti na lejon që t’i bëjmë çarjes në qepje të mirë dhe që pacienti ta ndjejë veten më mirë", thotë mjeku.

Pra më pak dhimbje dhe shërim më të shpejtë për pacientin.

"Në të kaluarën ne operonim duke bërë çarje të gjata gjë që për pacientin nënkuptonin një shërim më të ngadaltë. Ndërsa me robotin pacienti ka shumë më pak dhimbje. Roboti Davinci na lejon ta bëjmë çarjen shumë më shpejt dhe me më shumë saktësi, kështu që për pacientin kjo është me shumë leverdi", thotë mjeku.

Megjithatë, roboti vazhdon t’u nënshtrohet eksperimenteve për të parë nëse ai mund të përdoret për operacione të tjera siç është bajpasi apo kirurgjia e tumoreve kanceroze kur ato prekin organe të rëndësishme të trupit.

XS
SM
MD
LG