Lidhje

Qeveria shqiptare miratoi paketën ligjore antimafia - 2004-07-16


Qeveria shqiptare miratoi sot një paketë ligjore antimafia, e vlerësuar si pjesa më e rëndësishme e reformës penale. Zëdhënësi i kryeministrit bëri të ditur se krahas “projekt-ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan edhe një seri ndryshimesh në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, që synojnë të forcojnë më tej masat ndëshkuese kundër kriminalitetit.

Projekt-ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar parashikon konfiskimin e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar dhe përdorimin e këtyre pasurive në dobi të viktimave të kriminalitetit, për qëllime sociale, apo dhe për administratën e drejtësisë.

Sipas këtij projekt-ligji, në Shqipëri do të ngrihet një strukturë e posacme shtetërore që do të merret me administrimin e pasurive të konfiskuara nga njerëzit e botës së krimit, ndërsa pronarë të ndryshëm që dyshohen si pjesëtarë të krimit të organizuar, janë të detyruar të deklarojnë prejardhjes së pasurive të tyre.

Ligji kërkon hetimin e gjithë personave që dyshohen si pjesëtarë të organizatave kriminale ose grupeve terroriste të armatosura, si edhe gjithë njerësit e lidhur me ta, si familjarë apo ata që kanë bashkëjetuar në 5 vjetët e fundit me të dyshuarit.

Po ashtu në Kodin Penal janë bërë përmirësime që trajtonë sipas standarteve ndërkombëtare organizatat kriminale të organizuara, përcaktimin e saktë të dënimeve më të ashpra si dhe të formave të krimit të organizuar sipas fushave ekonomike, jo-eknomike, politike, terroriste ku veprojnë ato.

Masa të reja janë propozuar edhe për një dënim më të rreptë të korrupsionit të zyrtarëve publikë, duke bërë një shkallëzim të detajuar që nga ndëshkimet me gjoba e deri në burgim të tyre. Me këtë paketë ligjesh anti-mafia, qeveria shqiptare shpreson të ketë bërë një hap tjetër në rrugën e integrimit në strukturat euroatlanike, sepse, sipas përfaqësuesve të saj, amendamentet janë në përputhje me standartet dhe përvojat më të zhvilluara ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG