Lidhje

Lëvizja Mjaft: Shqipëria ka nevojë për një gjenerate të re në politikë - 2004-07-16


Javën e ardhshme më 20 korrik, Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara do të organizojë një seancë dëshmish për Shqipërinë. Seanca do të përqëndrohet në procesin demokratik dhe në sfidat me të cilat ndeshet ky vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Komisioni Amerikan për Sigurimin dhe Bashkepunimin në Evropë, është një agjenci e pavarur federale që vëzhgon dhe nxit zbatimin e marrëveshjeve të Helsinkit. Komisioni përbëhet nga 9 senatorë, nga 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga një përfaqësues nga Departamentet e Shtetit, të Mbrojtjes dhe të Tregëtisë. Në dëshmi jane ftuar për të folur ambasadori i OSBE-së Osmo Liponen, Profesori i Universitetit Western Illinois Nikola Pano, Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Fatos Tarifa, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe drejtuesit e dy organizatave jo-qeveritare në Shqipëri, Kreshnik Spahiu i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Erion Veliaj Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Mjaft.

Intervistë e zotit Veliaj për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, çfarë rëndësie kanë senaca të tilla për lëvizjet civile në Shqipëri?

Erion Veliaj: Besoj që rëndësia është e dyfishtë, qoftë për lëvizjen Mjaft, qoftë për vetë Shqipërinë. Që nga viti 1996 nuk ka patur një senacë të tillë dëgjimore për Shqipërinë, që nga viti 1997, nuk ka pasur asnjë raportim për Shqipërinë në këtë komision. Besoj që futja e Shqipërisë në axhendën e një agjencie të tillë është një shenjë pozitive e faktit që po hidhet një interes mbi Shqipërinë. Nga ana tjetër është konfirmim i një fakti tjetër, që lëvizjet qytetare po bëhen tashmë një faktor me më shumë kredibilitet, për t’u dëgjuar nga agjenci të huaja se sa vetë partitë politike. Në mënyrë rutine janë përfaqësuesit politikë ata që zakonisht marrin pjesë në seanca të tilla dhe një ndryshim i tillë do të thotë është një inkurajim për punën që po bëjmë.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi më tej tek roli, tek puna e organizatave civile. Një nga kritikat e vazhdueshme që i janë bërë Shqipërisë në të kaluarën është se politika është ajo që dikton gjithshka në jetën e vendit dhe roli i shtypit, që është mjaft i rëndësishëm, ose roli i shoqërisë civile, që është po ashtu tejet i rëndësishëm, nuk ka qënë në nivelin e duhur. Organizata që drejtoni ju ka qënë tepër aktive kohët e fundit. Sa ka ndryshuar gjendja në Shqipëri përsa i përket rolit të organizatave civile?

Erion Veliaj: Besoj se ka ndryshuar mënyra se si e përcaktojmë shoqërinë civile. Në qoftë se më përpara shoqëria civile njihej si grupimi, apo bashkësia e OJQ-ve (organizata jo-qeveritare), tashmë shihet si një fushë ku luan edhe qytetari i thjeshtë. Ajo që lëvizja Mjaft ka arritur në Shqipëri, ndryshe nga një organizatë stereotipike jo qeveritare, ka qënë dhënia e aksesit të qytetarit të thjeshtë për të marrë pjesë në proceset e ndryshimit të vendim-marrjeve, qoftë në protestat që kemi organizuar, qoftë në debate me parlamentin, qoftë në takime të ndryshme me ligjvenës, pra në një farë mënyre kemi arritur të çmitizojmë paprekshmërinë e klasës politike. Tashmë këto janë gjera për konsum të përditshëm nga debati qytetar. Dhe kjo besoj që ka qënë arritja më e madhe, kjo shkundje e apatisë qytetare.

Zëri i Amerikës: A jeni i kënaqur me ndikimin që ka patur lëvizja juaj deri tani?

Erion Veliaj: Them që lëvizja Mjaft mund të kishte bërë shumë më shumë për një vit jetë sa ka pasur. Megjithatë duke pasur parasysh situatën ku veprojmë, mentalitetin në të cilin operojmë dhe ato arritje që nuk kanë qënë të pakta, qoftë me ato që kanë rezultuar në ulje çmimesh të mallrave të konsumit të përditshëm, të energjisë elektrike, të telekomit, të çmimit të bukës për qytetarët, kalimi i ligjeve si rritja e buxhetit të arësimit, ndëshkimi i zyrtarëve të dhunshëm apo të korruptuar, si në rastin e ish Ministrit të Rendit, besojmë që kanë qënë disa arritje jo të vogla të lëvizjes Mjaft. Megjithatë gjithmonë ka vend për më shumë. Një ga mallrat për të cilat ka bollëk Shqipëria janë problemet e pafund.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë, ose sa e lehtë është për lëvizjen tuaj, për t’i shpëtuar ndikimit politik, që të mos bëheni pre e trysnisë politike?

Erion Veliaj: Besoj që është relativisht e vështirë në një vend, siç e quan një shkrimtar i njohur shqiptar, “me tre milionë kushërinj”, çdo gjë bëhet në klika shumë të ngushta, është relativisht e vështirë të jesh larg këtyre ndikimeve. Dhe duke patur parasysh se çdo gjë është e lidhur me politikën, çdo gjë është e lidhur me parlamentin, me qeverinë. Mënyra si organizohen mjetet tona të përditshme, ka të bëjë me mënyrën se si merren vendimet në qeverisje, kështu që nuk mund të jesh steril ndaj ndikimeve dhe imputeve që merr nga klasa politike. Por ajo që kemi arritur të bëjmë, është që ne kemi qënë të fokusuar në punën që po bëjmë, në dallim nga shumë grupime politike që janë për zgjidhje globale, të natyrës “largohuni ju të vijmë ne”, ose “ju s’vini se ju keni dëshmi të keqe, duhet të qëndrojmë ne”, kemi punuar që të kapim një problem të caktuar, në një kohë të caktuar, për t’i dhënë një zgjidhje të kënaqshme. Kjo besoj ka qënë strategjia që na ka dhënë si syuksesin, ashtu dhe na ka ruajtur nga ndikimet të tilla. Apeli konstant që i kemi bërë klasës politike është ajo që kemi thënë këto ditë në takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, të Kongresit apo të Senatit, është nevoja urgjente për pjesëmarrjen e një klase të re në politikë, ose të një gjenerate të re në politikë. Përveç Gjeorgjisë, që ishte vendi i fundit në Evropë me Shevernaxen, monolitët e politikës shqiptare nuk kanë ndryshuar që nga viti 1991.

Zëri i Amerikës: A mos është kjo ide paksa utopike për të lindur një klasë të re politike në Shqipëri, kur politikanët tashmë janë aty dhe me përvojë? A është kjo e mundur në realitet?

Erion Veliaj: Ishte po aq utopike në Gjeorgji, ku Shevernaxe ishte më se i stabilizuar. Unë nuk besoj që lëvizja Mjaft ka vuajtur nga idealizmi i tepërt. Madje ka qënë ky idealizëm që na ka çuar në këtë pikë ku jemi sot. Në fillimet tona, para një viti, shiheshim si një grup djemsh dhe vajzash idealistë. Sot kemi respektin e një grupi që realisht sjell ndryshime. Kështu që nuk besoj se gabojmë që pretendojmë një ndryshim të këtij lloji. Në fund të fundit, do të ishte fataliste, në mos utopiste të pranonim që Shqipëria nuk mund të prodhojë mall më të mirë në tregun politik se sa ata që kemi sot.

Zëri i Amerikës: Ka kritikë në Shqipëri që thonë se qeverisë socialiste i ka ikur e drejta morale për të qeverisur për shkak të problemeve të shumta, të përçarjes së saj, të korrupsionit zyrtar, për të cilin Shqipëria është kritikuar shpesh. A mendoni se vendi po shkon sot drejt zgjedhejve të reja?

Erion Veliaj: Nuk më takon mua të them. Kuptohet janë shumë palë që interesohen në zgjatjen e afatit të zgjedhjve. Kjo do t’u japë shumë kohë qoftë për fushatat elektorale, qoftë për riorganizime të brendshme, qoftë për performanca të minutës së fundit për të ndryshuar ndoshta mendimet e votuesve. Unë besoj se më shumë se zgjedhje të reja, Shqipëria ka nevojë, ose klasa politike ka nevojë, të debatojë për çështjet konkrete që prekin qytetarët. Në qoftë se jeta në Shqipëri kalendarizohet nga njera zgjedhje tek tjetra, kemi humbur davanë e asaj që quhet dialogu dhe debati politik. Kështu që ne si lëvizje kemi preferuar më shumë të shqetësohemi për problemet akute që po kalon vendi, se sa kur janë zgjedhjet e ardhshme. Patjetër janë etapa që ndryshojnë rrjedhën e vendit. Megjithatë duket sikur jetojmë brenda një kafazi i cili përcaktohet vetëm nga një zgjedhje tek tjetëra dhe në shumicën e rasteve vëmendja ndaj problemeve të caktuara politizohet kryekëput me rezultatet e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG