Lidhje

Shqipëria shënon përmirësim në cilësinë e jetës së vendit - 2004-07-17


Shqipëria ka shënuar përmirësim në cilësinë e jetës së vendit, sipas raportit vjetor të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin njerëzor. Raporti i përgatitur nga Programi i OKB-së për zhvillim përcakton radhitjen e vendeve në bazë të faktorëve politikë ekonomikë dhe shoqërorë. Raporti i këtij viti përqendrohet tek liria kulturore në botë dhe tek përpjekjet që duhet të bëjë secili vend që të përfitojë nga larmia e kësaj bote. Por tipare të tilla si identiti kombëtar, etnia dhe raca, për vendet e Ballkanit kanë qenë burim konflikti dhe jo bashkëjetese, sidomos në vitet 1990. Kolegia jonë Keida Kostreci mori pjesë në prezantimin e raportit këtu në Washington dhe përgatiti materialin në vazhdim. Në një listë me 177 vende, Shqipëria është në vendin e 65-të përsa i takon zhvillimit njerëzor. Zhvillimi njerëzor matet në bazë të jetëgjatësisë, niveli i arsimimit dhe standardi i jetesës. Kalman Miszei ndihmës administrator për Evropën dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik i Programit të OKB-së për Zhvillim, dhe ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, flet me tone optimiste për përparimin e Shqipërisë. “Jo vetëm që Shqipëria është diku nga mesi i listës, por ajo ka bërë një përmirësim shumë të vrullshëm përsa u takon treguesve të zhvillimit njerëzor, falë shumë faktorëve, mes së cilëve pa dyshim është edhe rritja ekonomike, por gjithashtu edhe përmirësimi në jetëgjatësi dhe në treguesit e arsimit, madje në këtë drejtim Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të suksesshme në botë në këtë drejtim. Mendoj se Shqipëria po e mbyll hendekun me vendet e tjera të Ballkanit dhe vendet e tjera të Ballkanit po përparojnë jo aq shpejt sa Shqipëria”, tha ai për Zërin e Amerikës”.

Raporti vjetor i Programit të OKB-së për zhvillim, ndahet në dy pjesë: treguesit e zhvillimit njerëzor për çdo vit dhe trajtimi i një teme të veçantë nga studiuesit që marrin pjesë në hartimin e raportit. Raporti i këtij viti që ka të bëjë me lirinë kulturore trajton tema të mprehta, që kanë të bëjnë me respektin e identitetit kulturor, racial dhe etnik dhe zgjedhjen e përfshirjes, në vend të diskriminimit. Fatkeqësisht në Ballkan këto tema kanë qenë burim tensionesh e konfliktesh. Ja ç’thotë zoti Miszei:

“Pa dyshim që historia e Ballkanit, është një histori konfliktesh dhe mendoj se nëse të gjitha rekomandimet e këtij raporti do të ishin përfshirë në politikat e vendeve të Ballkanit, konfliktet e përgjakshme të viteve 1990 nuk do të kishin ndodhur atje”.

Zoti Mizsei e pranon që përkatësia etnike dhe identiteti kombëtar dhe kulturor, si edhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm kontribuojnë në një pjesë të madhe në mungesën e stabilitetit në Kosovë. Ai nuk e mohon që edhe komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë e tij në këtë gjendje.

“Para së gjithash Kosova nuk është një entitet homogjen, aty ka edhe serbë dhe është jetike që shqiptarët e Kosovës të respektojnë të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve atje. Së dyti, është bërë shumë e qartë dhe e dukshme se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të ofruar një plan të qartë drejt statusit përfundimtar, është një problem që në vetvete kontribuon në konflikt. Kështu që ka elementë që mund të jenë burim konflikti në Kosovën e sotme: Njëri është paqartësia për një plan përfundimtar, një tjetër është mungesa e respektit për serbët, por edhe për romët, gjë që ka të bëjë me të drejtat e njeriut në Kosovë”. Ai shton se në Kosovë vendasit dhe ndërkombëtarët duhet të krijojnë një mjedis ku të respektohen këto të drejta dhe të përcaktohet plani për rrugën drejt një statusi përfundimtar.

XS
SM
MD
LG