Lidhje

Martha Steward, milionerja në pranga - 2004-07-17


Martha Stewart, amerikania që shndërroi këshillat stilistike në një kompani miliarda dollarëshe, u dënua me 5 muaj burgim për rolin që luajti në një skandal të bursës. Martha ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin dhe investitorët duket se kanë besim që ajo do të rikthehet në drejtimin e biznesit, pasi aksionet e kompanisë së saj vazhdojnë të shiten mirë, biles, shënuan dje rritje menjëherë pas shpalljes së vendimit të gjyqit.

Martha Stewart mbërriti në gjykatën federale në qytetin e New Yorkut dje e veshur me një kostum të zi, i cili u interpretua nga analistët si një shenjë e pendimit të saj. Gjykatësja Miriam Cedarbaum e dënoi Shefen Ekzekutive të kompanisë Martha Stewart Living Omnimedia me 5 muaj burgim, pesë muaj arrest shtëpie, 2 vite lirim me kusht dhe 3 mijë dollarë gjobë.

Pasi doli nga gjykata, Stewart falenderoi përkrahësit e saj, u kërkoi ndjesë 200 ish-punonjësve të kompanisë të cilët humbën punën si rrjedhojë e rënies së shitjes së produkteve dhe u kërkoi konsumatorëve të vazhdojnë të blejnë revistën dhe artikujt e kompanisë. "Unë do të kthehem. Çfarëdo që të bëj këto muajt e ardhshëm, shpresoj se koha do të kalojë shpejt. Siç e dini, mund të përballoj çdo punë sado e vështirë dhe nuk kam aspak frikë. Vetëm se më vjen shumë keq që punët arritën deri këtu, që një çështje e vogël personale është fryrë jashtëzakonisht. Është e tmerrshme", tha ajo.

Zonja Stewart do ta kalojë periudhën e arrestit shtëpiak në shtëpinë e saj në Bedford të New Yorkut dhe pritet që të vuajë dënimin në një burg për femra në Danbury të shtetit Connecticut, rreth 30 kilometra nga banesa e saj. Avokati i saj Walter Dillinger po e apelon vendimin: "Gjyqi u përshkua nga nocioni i gabuar se ajo po akuzohej për vepra penale lidhur me shkëmbime të paligjshme në tregun e aksioneve. Kjo akuzë nuk u ngrit kurrë, megjithatë pala akuzuese përmendi 17 herë në deklaratat e hapjes së procesit se ishin këmbyer informata sekrete mbi aksionet. Pra në gjyq u krijua atmosfera e një krimi që asnjëherë nuk ishte përmendur në akuza dhe nuk ishte kryer. Megjithëse në fund të gjyqit u bë e qartë se nuk kishte pasur shkëmbim të parregullt aksionesh, ishte vonë për të riparuar dëmin e bërë", tha avokati.

Zonja Stewart u shpall fajtore se kishte gënjyer hetuesit lidhur me shitjen e disa aksioneve të një kompanie që zotërohet nga një mik i saj. Hetuesit u përpoqën të zbulojnë nëse ajo kishte shitur aksione pas informacioneve të marra nga këshilltari financiar se kompania kishte probleme, para se këto informata të publikoheshin.

Në tregun e akioneve në New York, duket se investitorët presin dhe parashikojnë kthimin e zonjës Stewart. Menjëherë pasi u njoftua dënimi, çmimi i aksioneve të kompanisë së saj shënoi rritje.

XS
SM
MD
LG