Lidhje

SHBA: Agjencitë e zbulimit dhe nevoja për reformimin e tyre - 2004-07-18


Një raport i ri i Senatit amerikan mbi të dhënat e zbulimit për Irakun jep një përshkrim dekurajues për funksionimin e agjencive të zbulimit. Analistë dhe politikanë pohojnë se sistemi i zbulimit ka nevojë për reforma. Por siç njofton korrespondenti Gary Thomas në Uashington, pak të ngjarë ka që të bëhen ndryshime domethënëse para zgjedhjeve presidenciale dhe për Kongresin në nëntor:

John McGlauglin shërben si shef i përkohshëm i CIAs që pas dorëheqjes së ish-drejtorit të saj të mëparshëm George Tenet, e cila hyri të hënën në fuqi. Presidenti Bush ka lënë të kuptohet se nuk do të emërojë një drejtor të ri deri pas zgjedhjeve, megjithë thirjet për një drejtues të ri që të marrë në dorë funksionimin e shërbimeve të zbulimit, veçanërisht pas raportit shumë kritik mbi punën e CIAs në Irak.

Raporti thekson se analizat e zbulimit për Irakun, të cilat u shfrytëzuan nga presidenti Bush për të argumentuar nevojën për luftë, kishin shumë probleme dhe nuk mbështeteshin nga prova të forta.

David Kay, ish-këshilltar i posaçëm i Drejtorit të CIA-s për armët irakiane të shkatërrimit në masë, thotë se presidenti nuk duhet të presë të emërojë një drejtor të ri të përhershëm. Në një intervistë telefonike, ai tha se ka nevojë për udhëheqje të re që të fillohen reformat në CIA:

”Duhet që menjëherë të emërohet një drejtor i ri i shërbimeve të zbulimit, dikush që të jetë i gatshëm të angazhohet me mish e me shpirt për ta riorganizuar nga themelet këtë agjenci.”

Por Stansfield Turner, ish-drejtor i CIA-s gjatë administratës së presidentit Carter, bën thirje për durim. Zoti Turner thotë se emërimi i një drejtori të ri nuk do të ndreqë të gjitha problemet e CIA-s. Ai thotë se burokratët në këtë agjenci do të presin për të parë nëse zgjedhjet sjellin një president të ri në Shtëpinë e Bardhë, siç ndodhi në vitin 1980 kur Jimmy Carter u mund në zgjedhjet presidenciale kundër Ronald Reagan:

”Katër apo pesë muaj para zgjedhjeve të vitit 1980, burokratët po i vononin punët pasi nuk donin të fillonin programe të reja para se të përfundonin zgjedhjet dhe të shihej nëse presidenti Carter do të rizgjidhej.”

Zyrtarët e administratës së presidentit Bush kanë thënë se dorëheqja e zotit Tenet nuk ka lidhje me përfundimet e komisionit hetimor mbi sulmet e 11 shtatorit. Njoftohet se zoti Tenet i ka thënë presidentit se të dhënat e zbulimit flasin për një fakt të padiskutueshëm se Iraku ka armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Kay thotë se zoti Tenet i ekzagjeroi të dhënat e zbulimit, të cilat asnjëherë nuk duhen konsideruar si 100 për qind të sigurta.

”Asgjë në punën e zbulimit nuk është plotësisht e sigurtë. Është një realitet hijesh dhe pasqyrash. Është për të ardhur keq që një ekzagjerim i realitetit është përdorur për të siguruar presidentin se lufta është me vend.”

Por ish drejtori i CIA-s Turner thotë se zoti Tenet u përpoq të bindte presidentin se kishin prova të mira, por nuk i zgjodhi fjalët si duhet:

”Mendoj se ai u përpoq t’i thoshte presidentit se ka prova shumë të forta. Në fakt ai e kishte gabim, pasi provat nuk ishin të forta. Këtu qëndron gabimi i tij dhe ai do të vuajë për një kohë të gjatë pasojat e këtyre fjalëve.”

Drejtori i CIA-s është në titull edhe kreu i gjithë agjencive të tjera të zbulimit. Megjithatë, ai nuk ka autoritet të vërtetë mbi buxhetet dhe veprimtaritë e agjencive të tjera, përveçse për të marrë në konsideratë ose për të hedhur poshtë përfundimet e tyre mbi tema të ndryshme kur përgatitet Raporti Kombëtar i Agjencive të Zbulimit.

XS
SM
MD
LG