Lidhje

Vetvrasjet dhe ligji - 2004-07-18


Një moment shumë prekës u kthye në një akt publik këtë muaj kur senatori Gordon Smith paraqiti një projekt-ligjit për parandalimin e vetëvrasjes, në kujtim të të birit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faiza Elmasry, miratimi unanimisht i projekt-ligjit nga ana e senatit më 9 korrik, hapi i parë për ta kthyer atë në ligj, e drejtoi vëmendjen tek problemi shpesh i anashkaluar i vetëvrasjes së adoleshentëve, e treta mes shkaqeve të vdekjes mes të rinjve.

Kur Senatori Smith doli para nënkomisionit të Senatit për Shëndetësinë dhe Arsimin, ai e ktheu dramën e tij personale në një thirrje publike për veprim. Ai ishte thjesht një baba që rrëfente dhimbjen që bashkë me të shoqen kishin provuar kur i biri Garrett vrau veten.

“Ne i jemi kushtuar secili në mënyrën e vet, mbajtjes gjallë të kujtimit të Garrettit, duke ndihmuar të tjerët. Ai ishte një fëmijë i mrekullueshëm, një foshnjë e bukur. Më falni”, tha ai mes ngashërimave.”

Garretti vuanta nga depresioni dhe vështirësitë për të mësuar. Ai vrau veten, një ditë para se të mbushte 22 vjeç. Senatori Smith tha gjatë një emisioni televiziv se humbja e një fëmije që vret veten është një tragjedi e papritur dhe asnjë prind nuk mund të jetë i përgatitur për një gjë të tillë. Ai thotë se miratimi në Senat i ligjit për parandalimin e vetëvrasjes, ishte një ngushëllim i madh për të si prind.

Ligji i quajtur “Në kujtim të Garret Lee Smithit” përcakton fonde për qeveritë e shteteve dhe lokale në mënyrë që ato të përqendrohet tek shërbimet shëndetësore për problemet psikologjike dhe përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjes nga të rinjtë.

Senatori Smith thotë se ky akt përfshin gjithashtu klauzola për të ndihmuar universitetet që të ngrenë shërbime për shëndetin mendor në qytetet studentore.

Mathew Dovel bëri tentativë për vetëvrasje kur ishte në të njëzetat, pas vitesh që vuante nga depresioni klinik. Ai rrëfen rrugën drejt shërimit në librin e tij “Fryma ime e fundit”.

“Nga tentativa për vetëvrasje, isha më shumë i vdekur sesa i gjallë. Për tri ditë unë besoj se isha në ferr. Vetëvrasja është gabim, është vrasje”.

20 vjet pas tentativës për vetëvrasje, zoti Dovel ende po përpiqet të përcjellë këtë mesazh. Ai thotë se të rinjtë janë shumë të ekspozuar dhe kanë nevojë për vëmendje të veçantë.

Edhe Joice Gatson ndjen mirënjohje që po i kushtohet më shumë vëmendje depresionit të adoleshentëve. Djali i saj i vetëm, vuante nga depresioni. Dhjetë vjet të shkuara ai vrau veten, tri javë pasi kishte mbushur 21 vjeç.

“Im bir ishte gjithë jeta ime. Unë e dëgjova krismën e armës, unë e gjeta. Kur ai vdiq, vdiqa edhe unë. Jeta ime e deriatëhershme mori fund”.

Në një përpjekje për të rifilluar jetën, zonja Gatson i hodhi në letër mendimet dhe ndjenjat e saj për jetën dhe vetëvrasjen e të birit dhe shkroi librin “Andi, pse ike?”. Para pesë vjetësh, ajo themeloi Programin për Parandalimin e Vetëvrasjes tek Adoleshentët në Arizonë. Ajo thotë se depresioni është shkaku më i përhapur i vetëvrasjes mes adoleshentëve dhe të rinjve, megjithatë shumë njerëz nuk e kuptojnë një gjë të tillë.

Ashtu si Senatori Gordon Smith, Joyce Gatson po përpiqet ta kthejë tragjedinë e saj personale në një përvojë të dobishme. Ajo thotë se nëse projekti i miratuar nga senati kthehet në ligj, do të hapet një mundësi tjetër për ata që punojnë në drejtim të përmirësimit të shërbimeve të shëndetit mendor dhe për të frenuar vetëvrasjen e parandalueshme mes të rinjve.//ii

XS
SM
MD
LG