Lidhje

Nicholas Pano: Në Shqipëri mbizotëron i njejti qendrim si në vitin 1991 - 2004-07-20


Aktualisht, ne shikojmë në Shqipëri një situatë shumë të ngjashme me atë të vitit 1991, thotë Prof. Pano, kemi po ata aktorë politikë - Sali Berisha, sot është kryetar i Partisë Demokratike, udhëheqës i opozitës, një pozitë që ai kishte në vitin 1991. Fatos Nano, kryeministri i fundit komunist, i cili pastaj fitoi zgjedhjet dhe më vonë u detyrua të largohej nga posti. Megjithatë, sot Fatos Nano është përsëri kryeministër. Pra, të njëjtët aktorë. Një aspekt tjetër interesant, thotë Prof. Pano është se në Shqipëri mbizotëron po ai qendrim si në vitin 1991. Përpjekjet për ndërtimin e partive të forta, të centralizuara dhe me disiplinë të lartë. Megjithatë pati një periudhë kur brenda Partisë Socialiste kishte më shumë demokraci, por kjo është dobësuar sidomos me vendimet e Kongresit socialist në dhjetor 2003, thotë Prof. Pano:

"Mendoj se edhe një gjë tjetër është me rëndësi: jo thjesht sistemi apo partitë, por fakti se në Shqipëri sot mbizotërojnë shumë nga po ato sjellje të mëparshme, siç është për shembull zakoni që fitimtari i merr të gjitha, ose që palët nuk bëjnë kompromise, pra të njëjtat qendrime të vijës së fortë që mendoj se janë trashëguar nga komunizmi. Kjo nuk të habit sepse shumë nga figurat më aktive të skenës së sotme politike shqiptare janë njerëz që e mësuan politikën në epokën komuniste".

Por me gjithë politikën tejet të polarizuar dhe përçarjen në partinë socialiste në veçanti, Shqipëria ka shënuar përparim. Megjithatë, vendi vazhdon të ketë të njejtat vështirësi si dhe gjetkë në rajon, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni zyrtar. Qeveria shqiptare po bën përpjekje, për shembull për të luftuar trafikun njerëzor, mgjithëse vazhdon të mbetet burim dhe pikë kalimi për trafikimin e grave dhe fëmijëve që shfrytëzohen për qëllime seksuale dhe punë të detyruar nëpër Evropë.

"Ne nuk e dimë shkallën e depërtimit të krimit të organizuar në qeveri dhe në partitë politike si dhe ndikimin që ka ai", thotë Prof. Pano, "por në Shqipëri ka mjaft krim të organizuar dhe dihet që ai ka lidhje me organizata kriminale ndërkombëtare".

"Diçka duhet bërë për të frenuar pasurinë në rritje të këtyre kriminelëve ndërkombëtarë dhe mafiozëve në Shqipëri. Ne e dimë se shumë nga këta njerëz e përdorin këtë pasuri për të investuar në industrinë legjitime, duke akumuluar fuqi të madhe. Kjo mendoj se mund të ketë pasoja shumë negative për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Prandaj mendoj se masat që ka njoftuar kohët e fundit qeveria shqiptare kundër krimit janë të rëndësishme. Por është një gjë të shpallësh masa dhe të vendosësh parametra. Por prova do të duket në praktikë, pra a do të vazhdojë qeveria e Fatos Nanos apo qeveritë që do të vijnë pas saj zbatimin deri në fund të këtyre masave? A do të bëhen ato realitet? Kjo është pikpyetja më e madhe".

Megjithë këto probleme, Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe ka bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar në përgjigjen ndaj konflikteve rajonale. Ajo është mbështetëse e fuqishme e luftës kundër terrorizmit dhe vepron në kuadrin e Kartës së Adriatikut, një nismë e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, për të përgatitur kushtet që së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, Shqipëria të përfshihet edhe më shumë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Po a po i shfrytëson qeveria shqiptare këto konjuktura për të anashkaluar problemet e mprehta brenda vendit? Përsëri Prof. Pano:

"Historikisht, populli shqiptar ka patur një afinitet të madh me Shtetet e Bashkuara, një dashuri të madhe për Amerikën. Të gjitha qeveritë shqiptare pas luftës së parë botërore ndiqnin përgjithësisht një politikë pro amerikane. Gjithnjë ka patur një dëshirë për marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kjo është një dëshirë e sinqertë. Dhe kjo është e rëndësishme sepse me aspiratat e Shqipërisë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, disa vende të Bashkimit si Franca mendojnë se ato duhet të afrohen më shumë me njëra-tjetrën se sa me Shtetet e Bashkuara. Prandaj Shqipërisë po i bëhet një farë presioni për mbështetjen që ajo u ka dhënë Shteteve të Bashkuara. Pra për Shqipërinë kjo ka qenë një farë risku, por mendoj se rëndësi ka që miqësia është e sinqertë. A është shfrytëzuar ajo nga politikanët për përfitime? Patjetër. Ajo është shfrytëzuar nga Presidenti Berisha, i cili kur vizitonte Shtetet e Bashkuara e përdorte këtë si një rast për të demonstruar flamurin dhe për të pozuar për televizionin shqiptar. Madje mendoj se edhe vendimi i kryeministrit Nano për të kryesuar delegacionin shqiptar në Kombet e Bashkuara këtë vit, megjithëse mund të ketë patur disa motive, nuk ka dyshim se njëri prej tyre patjetër që do të jetë motiv politik. Ai do të shikohet atje si burrë shteti, do të ketë shumë pozime para kamerave. Kjo nuk do të thotë se ai nuk është i sinqertë dhe se nuk do marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për të çimentuar kredibilitetin e Shqipërisë pranë OKB-së. Kjo është mënyra se si funksionon politika".

Shtetet e Bashkuara historikisht kanë dashur marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Politika bazë e Amerikës është inkurajimi i reformës demokratike, i një shoqërie të qendrueshme, i sundimit të ligjit, thotë Prof. Pano.

"Shtetet e Bashkuara do të dëshironin suksesin e Shqipërisë si demokraci dhe mendoj se ato kanë bërë më shumë seç duhet për ta arritur këtë qëllim. Shtetet e Bashkuara duan një Shqipëri të qendrueshme dhe kjo ka rëndësi sepse Shqipëria është një hallkë lidhëse në Ballkan. Ka rëndësi sepse Shqipëria do të shihej si një model për Kosovën dhe për shqiptarët në Maqedoni. Ajo mund t’i tregonte botës se shqiptarët janë në gjendje të qeverisin veten e tyre, janë në gjendje të tregohen aktorë të përgjegjshëm në skenën ndërkombëtare".

XS
SM
MD
LG