Lidhje

Smith: Aleanca e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, nuk do na bëjë të mbyllim sytë para problemeve - 2004-07-21


Seanca e Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që u mbajt të martën, ku përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile folën për situatën në Shqipëri, u drejtua nga Kryetari i këtij komisioni, anëtari i Kongresit Christopher Smith. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas seancës, ai theksoi se pavarësisht se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë aleancën e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, ato nuk do të tolerojnë probleme shqetësuese, si korrupsioni, trafiqet dhe krimi i organizuar. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e OSBE-së dhe tha se është e rëndësishme që ajo të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Smith, kishte kohë që nuk bëhej një seancë e tillë për Shqipërinë. Pse vendosët ta realizoni një gjë të tillë?

Christopher Smith: Ne kemi patur shqetësime për një numër problemesh në Shqipëri, si ai i korrupsionit. Ne shpresojmë që atje të ketë një demokraci të plotë, që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen të lira dhe të ndershme. Ne jemi të shqetësuar për çështjet e votimit, të regjistrimit për votim në zgjedhjet e kaluara dhe veçanërisht përsa i takon pasaktësive me numërimin e votave. Sipas raportit të OSBE-së procesi zgjedhor në Shqipëri nuk ishte krejtësisht i rregullt. Kështu që ne duam të jemi shumë konstruktivë, të sinqertë dhe të hapur dhe për këtë arsye kishim ftuar disa përfaqësues nga Shqipëria, në mënyrë që të gjithë të kemi të njëjtin qëndrim për të gjitha çështjet. Ne shpresojmë që t’i nxisim ata për reforma dhe nëse është e mundur të përshpejtohen reformat dhe jo të bëhen hapa prapa.

Zëri i Amerikës: Çfarë ideje krijuat nga seanca për gjendjen në Shqipëri?

Christopher Smith: Unë do të vazhdoj të ndjek sidomos çështjen e trafikut njerëzor. Shqipëria është kthyer nga një vend ku kjo dukuri ishte një problem i madh, pra në grupin e tretë, në vendet e grupit të dytë, çka do të thotë që ka një problem serioz përsa i takon trafikut njerëzor, por qeveria po merr masa të vazhdueshme për ta zbutur këtë problem. Ka disa gjëra pozitive, por siç pyeta edhe Ambasadorin: ndërsa ka patur hetime për anëtarë të forcave të policisë, madje edhe arrestime, ku janë dënimet? Kush por konsiderohet përgjegjës? Çfarë po bëhet për përgatitjen e forcave të policisë për të çrrënjosur korrupsionin, sepse ne kemi arritur në përfundimin se është pikërisht policia, Thembër e Akilit e trafikut njerëzor.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se ndikon fryma e konfliktit politik brenda dhe midis partive kryesore në jetën e vendit, tek shqiptarët?

Christopher Smith: Fakti që në seancë merrte pjesë përfaqësuesi i Partisë Republikane, si edhe përfaqësues të tjerë interesantë të shoqatave civile, tregon që në Shqipëri ka një opozitë të gjallë dhe etike që do të jetë e angazhuar, por ata duhet të luajnë rolin e tyre në një terren të ndershëm, jo në kushtet kur është kthyer kundër tyre, përsa i takon ndoshta mundësive për t’u shprehur në media, por çka është më e rëndësishmja, jo në kushtet e një procesi elektoral që nuk garanton një rezultat në përputhje me dëshirat e njerëzve. Shumë njerëz nuk votuan në zgjedhjet e kaluara, për shkak të mungesës së transparencës, taktikave frenuese përdorur ndaj tyre. Kjo nuk mund të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që ka Shqipëria është korrupsioni. Ndërkohë në fjalën tuaj të hapjes ju përmendët faktin që Shqipëria ka qenë një aleate e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. A mund të jetë kjo një arsye që nuk ka patur shumë trysni nga ana e Shteteve të Bashkuara lidhur me akuzat për korrupsionin në qeveri, për krimin e organizuar, apo thjesht vëmendja nuk është përqendruar tek Ballkani?

Christopher Smith: Me të vërtetë tek Shqipëria ne shohim një mike të mirë përsa i takon luftës kundër terrorizmit, por kjo nuk do të thotë që ne mund të justifikojmë apo të bëjmë sikur nuk shikojmë, shkeljet e të drejtave të njeriut, çështjet e korrupsionit dhe siç thashë gjatë seancës, kurrupsioni është elementi më i rrezikshëm aktualisht, në Shqipëri. Nëse ka korrupsion, njerëzit humbin shpresat dhe në vend që të ketë një lloj ideologjie përmes së cilës të drejtohet qeveria, janë njerëz të fshehur, ose që janë pjesë e krimit të organizuar që e bëjnë një gjë të tillë dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Kështu që korrupsioni duhet të luftohet me forcë.

Zëri i Amerikës: Çfarë përpjekjesh do të bënin Shtetet e Bashkuara, Komisioni juaj për t’i frenuar këto prirje. Dhe një pyetje tjetër: Në qarqet qeveritare në Shqipëri ka patur kërkesa që OSBE-ja të largohet, se nuk është e nevojshme. Cili është mendimi juaj?

Christopher Smith: Mendoj se prania e OSBE-së është shumë e rëndësishme, ajo përfaqëson komunitetin ndërkombëtar dhe së bashku me Ambasadorin Lipponen janë në krye të përpjekjeve për të nxitur transparencën, zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe për të garantuar një gjë të tillë nuk ka rëndësi vetëm dita e zgjedhjeve, liria për të përdorur mediat, mospengimi i regjistrimit të votuesve. Kështu që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm. Ne duam të përcjellim mesazhin që ky Komision po i ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Ne do ta shtojmë, nuk do ta pakësojmë mbikqyrjen. Ne ia duam të mirën popullit shqiptar dhe një qeveri e korruptuar nuk do t’u shërbente mirë atyre, ata meritojnë një qeveri të shkëlqyer. Nëse qeveria gabon, atëherë ajo e humb pushtetin në zgjedhje. Nëse Shqipëria bën hapa prapa dhe nuk bën atë që duhet të bëjë, për shembull nëse nuk e lufton siç duhet trafikun njerëzor, ajo kthehet prapë në grupin e tretë. Shqipëria do të përfitojë nga Fondit të Sfidave të Mijëvjeçarit për shembull, por nuk i plotësonte kushtet. Pse jo? Sepse duhen bërë ndryshimet e nevojshme në reforma. Ne nuk po përpiqemi të bëjmë diktat, por ka standarde ndërkombëtare që Shqipëria duhet t’i plotësojë.

XS
SM
MD
LG