Lidhje

Madeleine Albright: Askush nuk do që të shuajë ëndërrat e kosovarëve - 2004-07-21


Në librin e saj “Madam Secretary: A Memoir”, gruaja me postin më të lartë në historinë amerikane flet për karierën e saj të mrekullueshme dhe shpreh pikpamjet e saj mbi çështjet ndërkombëtare në një periudhë trazirash të pashembullta. Gjatë dy mandateve të administratës së Presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright ishte pjesëmarrëse aktive në ngjarjet më dramatike të kohës, nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme e deri tek ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.

Zonja Albright i kushton vemendje të posaçme Kosovës dhe Ballkanit në librin e saj, duke filluar me karierën diplomatike të të jatit, Joseph Korbel, i cili në vjeshtë të vitit 1945, u emërua përfaqësues i Çekosllovakisë në Jugosllavi dhe Shqipëri. Dje në Qendrën Woodrow Wilson, ajo kritikoi adminitratën e Presidentit Bush që e ka përqendruar vemendjen në rajone të tjera të botës duke e lënë mënjanë Ballkanin dhe Kosovën në veçanti.

“Mendoj, se një nga arsyet e problemeve në Kosovë është se Shtetet e Bashkuara nuk i kushtuan vemendjen e duhur asaj pas largimit tonë nga administrata. Me zgjedhjen e një qeverie të re demokratike në Beograd, ekzistojnë mundësi më të mëdha për zgjidhjen e çështjeve, jo vetëm çështjes së Kosovës, por edhe çështje të tjera. Ka shumë rëndësi që sërbët të ndihmojnë në kapjen e Karaxhiçit dhe të Mlladiçit, që përbëjnë një pjesë të problemit”.

Zonja Albright tha dje në Qendrën Woodrow Wilson se viti 2005 është me shumë rëndësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Askush nuk do që të shuajë ëndërrat e kosovarëve. Por mua më kanë shqetësuar së tepërmi përplasjet mes kosovarëve dhe sërbëve kohët e fundit dhe fakti që Kombet e Bashkuara nuk morrën masat e përshtatëshme. Në të njetën kohë, në këtë kuadër, janë çështje me rëndësi viti 2005 dhe qeveria e zgjedhur rishtaz në Beograd për sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës”.

Zonja Albright tha se është shumë e kënaqur me zhvillimet në përgjithësi në Ballkan. Ka ardhur koha theksoi ajo, që forcat e NATO-s të largohen nga Bosnja, gjë që kërkon nga Bashkimi Evropian të kuptojë se misioni nuk është kryer plotësisht. Duhet të punohet lidhur me marrëdhëniet mes Republikës së Sërbëve të Bosnjes dhe pjesës tjetër të Bosnje-Hercegovinës. Karaxhiçi duhet pa tjetër të kapet, dhe ky është një objektiv shumë i rëndësishëm i një misioni ende të papërfunduar. Ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, theksoi se për t’i realizuar me sukses objektivat e këtij misioni, Shtetet e Bashkuara duhet të qendrojnë të angazhuara në Ballkan.

Në përfundim të diskutimit, ish sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, u dha autografë në librin e saj të pranishmëve në diskutim.

XS
SM
MD
LG