Lidhje

Komisioni 11 shtatori publikon raportin përfundimtar - 2004-07-22


Raporti me mbi 500 faqe u publikua pas 20 muaj pune të hollësishme hetimore nga komisioni me 10 anëtarë, i cili hetoi shkaqet që çuan në sulmet e 11 shtatorit dhe rrugët për të parandaluar sulme në të ardhmen.

Kryetari i Komisionit dypartiak Tom Kean tha në një konferencë shtypi në Washington se dështimi kryesor lidhej me mungesën e imagjinatës si nga administrata e presidentit Bush ashtu edhe nga ajo e presidentit Klinton, pasi zyrtarë të lartë në këto administrata nuk arritën ta konceptonin kërcënimin që paraqiste al-Kaida ndaj Shteteve të Bashkuara:

“Ngaqë autorët e sulmit ishin elastikë dhe nuk u mungonin alternativat, nuk mund të themi nëse një hap i vetëm apo një seri hapash do të kishin arritur t’i parandalonin këto sulme. Por mund të themi me besim se asnjë nga masat e marra nga qeveria e Shteteve të Bashkuara para 11 shtatorit nuk arriti t’i devijojë ose vonojë përgatitjet për komplotin e al-Kaidës".

Raporti e vë theksin tek ato që cilësohen si dështime të mëdha institucionale në qeveri, duke humbur disa mundësi për të zbuluar komplotin. Megjithatë, raporti nuk thotë se sulmet ishin të parandalueshme.

Komisioni për hetimin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 rekomandon një reformë të përgjithshme të agjencive amerikane të zbulimit për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve në të ardhmen. Propozimi kryesor është emërimi i një drejtori kombëtar të zbulimit, i cili do t’i njoftojë drejtpërdrejt presidentit, si dhe krijimi i një qendre kombëtare të kundër terrorizmit për të bashkërenduar më mirë informacionet nga CIA dhe agjenci të tjera zbulimi në qeveri.

Rekomandimet përfshijnë gjithashtu përmirësimin e kontrolleve të imigracionit për të parandaluar hyrjen në vend të terroristëve dhe një politikë e jashtme më e fokusuar për të vendosur lidhje me myslimanët e moderuar në gjithë botën.

Ish anëtari i Kongresit amerikan, Lee Hamilton, është nën-kryetar i komisionit. Ai thotë:

“Ne duhet të marrin pjesë në rrahjen e mendimeve me botën myslimane, duke përhapur shpresën në vend të dëshpërimit, përparimin në vend të persekutimit, jetën në vend të vdekjes. Ky mesazh duhet të pasohet me politika që inkurajojnë dhe mbështesin shumicën e myslimanëve, që ndajnë këto objektiva”.

Para publikimit të raportit, ai iu paraqit Presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë, i cili bëri këtë koment:

“Ata kanë bërë një punë shumë të mirë për të mësuar rreth vendit tonë, për të mësuar mbi çfarë shkoi keq para 11 shtatorit dhe duke bërë rekomandime të forta se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Unë i siguroj ata se në ato aspekte që qeveria duhet të veprojë, ajo do të veprojë”.

Kandidati demokrat për president u informua për raportin dhe i bëri thirrje presidentit dhe Kongresit të veprojnë me shpejtësi mbi rekomandimet e tij. Ndër këto rekomandime përfshihen kontrolli më i rreptë nga ana e Kongresit.

Raporti u prit me reagime të ndryshme nga familjet e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, shumë prej të cilëve ishin ata që kërkuan me këmbëngulje krijimin e komisionit.

Kryetari i Komisionit,Tom Kean, tha se raporti nuk duhet të shikohet si një dokument përçarës politik, por si një thirrje bashkimi në luftën kundër kërcënimeve terroriste në të ardhmen.

“Ne kemi përballë një armik i cili e shikon këtë si një luftë për vemendje, në fakt, kjo është një luftë epokale. Ne presim të ndodhin sulme të tjera. Kundër një armiku të tillë, nuk mund të mbahet qendrim indiferent. Kjo është sfida e brezit tonë. Si amerikanë, ne duhet t’i përgjigjemi me guxim kësaj sfide”.

Raporti mbi sulmet e 11 shtatorit 2001, hedh dritë mbi marrëdhëniet e al-Qidës dhe Irakut. Në raport thuhet se megjithëse mes tyre ekzistonin marrëdhënie miqësore, ato nuk u kthyen në marrëdhënie bashkëpunimi. Në raport jepen gjithatu hollësi për lidhjet e al-Qaidës dhe Iranit, por thuhet se nuk ka të dhëna për pjesmarrjen dhe dijeninë e Iranit për këto sulme.

XS
SM
MD
LG