Lidhje

SHBA: vështirësi në zbatimin e rekomandimeve të komisionit hetimor - 2004-07-23


Raporti i Komisionit hetimor mbi sulmet e 11 shtatorit 2001 rekomandoi reforma të gjera në strukturat amerikane të zbulimit. Por, siç parashikojnë shumë analistë, disa nga ndryshimet do të jetë më vështirë të vihen në zbatim pasi mund të ndeshen me pengesa burokratike dhe politike.

Ndryshimet më rrënjësore që rekomandohen në raportin e komisionit hetimor, kërkojnë që disa agjenci, në veçanti Departamenti i Mbrojtjes, të heqin dorë nga një pjesë e autoritetit të tyre. Por siç vë në dukje anëtari i komisionit Bob Kerrey, ky propozim është shumë vështirë të bëhet realitet.

“Nga përvoja ime në politikë, kur dikujt i kërkohet të heqë dorë nga diçka, ai person nxjerr gjithfarë arsyesh, pa përmendur motivin e vërtetë, përse nuk do të humbasë një pjesë të autoritetit. Prandaj zbatimi i këtij rekomandimi është i vështirë,” thotë zoti Kerrey.

Komisioni ka propozuar krijimin e postit të Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Akualisht, krey i CIA-s, përveç që drejton Agjencinë Qendrore të Zbulimit, është edhe këshilltari kryesor i presidentit për çështjet e zbulimit si dhe së paku në emër, kryeson edhe grupin e agjencive që merren me çështjet e zbulimit të brendshëm dhe të jashtëm.

Kjo ide është ngritur disa herë më parë gjatë 30 vjetëve të fundit. Por siç thotë drejtori i Qendrës për Politikat e Zbulimit në Institutin Rand, Kevin O’Connell, ajo vazhdon të ngjallë polemika të shumta:

“Disa mendojnë se propozimi krijon nga njëra anë thelbin e një sistemi për përgjegjshmëri në agjencitë e zbulimit. Por nga ana tjetër, zëra të tjerë shprehin shqetësimin se nuk do të bëjë tjetër veçse do të shtojë burokracinë në një strukturë tepër të ndërlikuar zbulimi,” thotë zoti O’Connell.

Ndryshe nga opinioni i përgjithshëm, Departamenti i Mbrojtjes aktualisht kontrollon më shumë fonde dhe personel për zbulimin sesa vetë CIA. Richard Best, analist për grupin Shërbimi Kërkimor i Kongresit, thotë se çdo përpjekje për të pakësuar në ndonjë masë autoritetin e Pentagonit, do të ndeshet me kundërshtim të fortë si nga vetë Departamenti i Mbrojtjes ashtu edhe nga aleatët e tij në Kongres.

Të përpiqesh t’i largosh disa zyrtarë nga hierarkia ushtarake, ose nga posti nën Sekretarin e Mbrojtjes do të ishte shumë e vështirë. Ka shumë njerëz brenda ushtrisë që nuk e mbështesin këtë, pasi shqetësohen se mos caktohen të kryejnë detyra të një natyre tjetër, duke pakësuar punën e një natyre më luftarake.

Zoti O’Connell thotë se, në mënyrë që të funksionojë ky propozim, posti i ri duhet të ketë pushtet dhe autoritet të vërtetë mbi njerëzit dhe buxhetin:

“Nëse do të vihet në zbatim ndonjë ndryshim, kjo masë duhet të krijojë diçka më rrënjësore sesa një post thjesht ceremonial. Pa dyshim, posti duhet të jetë në nivel kabineti. Por duhet të ketë gjithashtu përgjegjësi të tjera të rëndësishme, si autoritetin për të riprogramuar buxhetin si dhe aftësinë për të miratuar drejtuesit e njësive të caktuara brenda agjencive të zbulimit,” thotë zoti O’Connell.

Megjithatë, komisioni u tërhoq nga propozimi që ky post të ishte në nivel kabineti. Komisioni rekomandoi krijimin e një Qendre Kombëtare kundër-terrorizmit për të shmangur përsëritjen e gabimeve të 11 shtatorit 2001. Megjithatë, rekomandimet nuk kërkojnë krijimin e një agjencie të re të zbulimit në vend, por krijimin e një Qendre Kombëtare të Zbulimit për Sigurinë brenda FBI-së.

XS
SM
MD
LG