Lidhje

Kuvendet e partive në Shtetet e Bashkuara - 2004-07-24


Demokratët mblidhen në Boston javën e ardhshme në kuvendin e tyre kombëtar për të emëruar zyrtarisht senatorin e Masachusetss, John Kerryn si kandidantin e partisë së tyre për president. Republikanët do të bëjnë të njëjtën gjë për presidentin Bush në kuvendin e partisë së tyre që do të zhvillohet në New York në fund të gushtit. Kuvendet politike kanë qënë traditë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1830. Por roli i kuvendeve të kohëve moderne është shumë më i ndryshëm nga ai që ishte 50 vjetë të shkuara.

Për më shumë se 100 vjet kuvendet e partive zgjedhin zyrtarisht kandidatët presidencialë.

Por e gjithë kjo ndryshoi në fillim të viteve 60. Aktivistët e partisë dhe votuesit kërkuan më shumë rol në zgjedhjen e kandidatëve presidencial. Që nga ajo kohë konkurentët presidencialë fitojnë emërimin nga partia e tyre duke mbledhur delegatë gjatë zgjedhjeve paraprake.

Allan Lichtman është historian në Universitetin Amerikan këtu në Washington. "Kuvendet nuk emërojnë më kandidatët. Sot kuvendet vendosin rregullat e partisë, ata formulojnë platformën e partisë dhe më e rëndësishmja, kuvendet sot i japin një shtytje të madhe fushatës së zgjedhjeve. Ata organizojnë fushatën dhe në se kjo bëhet si duhet, i japin kandidatit të tyre një shtytje të madhe në anketime".

Kjo shtytje varet gjithmonë nga kuvendi. Në vitin 1968 partia demokrate ishte e ndarë për shkak të luftës së Vietnamit. Mijëra protestues kundër luftës u përleshën me policinë në rrugët e Çikagos.

Këto imazhe iu dhanë votuesve përshtypjen e një partie që po dilte jashtë kontrollit. Atë nëntor, demokrati Hubert Humphrey gati sa nuk fitoi ndaj republikanit Richard Nixon.

Analisti politik Stuart Rothenberg tha se kuvendet e kohëve moderne theksojnë unitetin e partisë dhe të kandidatëve. "Këto janë ngjarje për të tërhequr median. Ato i japin mundësinë kandidatit presidencial të tregojë veten dhe pikëpamjet e tij dhe të përcjell mesazhin se ai kërkon të përcjell në zgjedhjet e përgjithshme".

Kandidatët e suksesshëm presidencial i kanë përdorur kuvendet e partive për të konsoliduar bazën e tyre të mbështetjes dhe në të njëjtën kohë për të tërhequr më shumë votues të moderuar që janë në mesin e spektrit politik.

Bill Clinton e bëri këtë në vitin 1992 në kuvendin demokrat dhe George W. Bush në kuvendin republikan katër vjet më parë.

Përsëri historiani Allan Lichtman:

"Kuvendet e suksesshëm u japin krahë aktivistëve të partisë së tyre. Kuvendet e sukseshëm nuk nxjerrin në pak dominimin e fanatikëve që janë larg masës. Kuvendet e sotme tentojnë të hartohen shumë me kujdes dhe i drejtohen qendrës së elektoratit amerikan".

Demokratët thonë se tema e këtij kuvendi do të jetë “më të fuqishëm në vend dhe të respektuar në botë”.

Republikanët do të theksojnë udhëheqjen e presidentit Bush në luftën kundër terrorit dhe hapat e ndërmarrë prej tij për përmirësimin e ekonomisë amerikane.

//rd//

XS
SM
MD
LG