Lidhje

Sindikalistët e Burrelit protestojnë për mungesën e pagave për 9 muaj - 2004-07-24


Protestat e 370 punëtorëve të Uzinës së Ferrokromit në Burrel u ndërprenë sot përkohësisht për shkak të pushimit të fundjavës së administratës shtetërore, por ato do të vazhdojnë më tej gjatë javës tjetër, bënë të ditur organizatorë dhe pjesëmarrës të tubimeve. Sindikalistët e Burrelit nisën dje një marshim proteste në këmbë për 70 kilometra nga qyteti i tyre dhe mbërritën në dyert e ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës, ku zhvilluan një tubim me parrulla ku rreth pretendimeve të tyre. Përfaqësues të metalurgëve zhvilluan bisedime me zyrtarë të ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës, ku kërkuan shpërblime për afro 9 muaj të pezullimit nga puna, për shkak të privatizimit, në Uzinën e Ferrokromit. Bisedimet mes palëve nuk dhanë asnjë rezultat, ndërsa përfaqësues të punëtorëve dhe të ministrisë së Industrisë pohuan se vetëm gjykata mund të jepte një interpretim të saktë mbi dokumentacionin financiar, nga edhe ka lindur konflikti.

Punëtorët pretendojnë se qeveria u detyrohet atyre t’u japë 9 muaj shpërblime lidhur me humbjen e vendit të punës nga privatizimi i ndërmarrjes. Ata pohojnë se gjatë periudhës korrik 2001 - prill 2002 kanë marrë pagesa në formës pagës mujore, duke ditur se janë ende në punë, dhe më pas kanë marrë shpërblime 3-mujore pas privatizimit të uzinës. Ndërsa ministria e Industrisë ka shpjeguar se këta punëtorë janë shpërblyer sipas vendimit të qeverisë me 24 paga mujore, pa qenë në punë, qysh nga korriku 2001 -kur u privatizua uzina e ferrokromit- deri në korrik 2003, duke shfaqur edhe listat me firmat e pagesave.

Konflikti mes palëve është mësë shumti i natyrës ligjore, dhe palëve u nevojitet, sic pohojnë ata vetë, një interpretim i paanshëm i dokumentave, mbi mënyrën se si janë bërë pagesat, dhe nëse ato janë të mangëta në disa qindra mijë dollarë.

XS
SM
MD
LG