Lidhje

Ilir Meta konfirmon shkëputjen nga Partia Socialiste - 2004-07-24


Seanca e Komisionit Amerikan të Helsinkit për Shqipërinë vazhdon të ketë jehonë të gjerë në shqypin shqiptar. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë shqiptare po përpiqen t'i minimizojnë kritikat duke thënë se gjendja në Shqipëri nuk është ashtu siç u paraqit dhe në reagimin e tyre kanë sulmuar edhe disa prej të ftuarve që dëshmuan. Ish-kryeministri i Shqiperise, Ilir Meta, dha këtë intervistë për Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Meta para se të ndalemi tek planet tuaja për të ardhmen dhe gjendja në Partinë Socialiste, dua të marr reagimin tuaj për ngjarjen e fundit që po dominon në shtypin shqiptar. Kritikat që u bënë në seancën e dëshmive të Komisionit amerikan të Helsinkit, në të vërtetë nuk ndryshojnë nga kritikat që personat e ftuar aty kanë bërë edhe më parë në Shqipëri. Por këtë herë ato u shtruan në një forum prestigjoz siç është Komisioni Amerikan i Helsinkit. Partia Socialiste reagoi shumë ashpër madje disa shkrime të kujtojnë epokën e kaluar komuniste kur kritikët shpalleshin si tradhëtarë. Si shpjegohet gjithë ky reagim kaq negativ?

Ilir Meta: Unë kam patur rastin që të zhvilloj disa takime të rëndësishme në Washington këto ditë pas kësaj seance dëgjimore në Kongresin amerikan dhe në të gjitha institucionet ku kam zhvilluar takime si në Departamentin e Shtetit apo në Këshillin e Sigurimit në Shtëpinë e Bardhë dhe në veçanti në Kongres kam gjetur një shqetësim mjaft serioz për fenomenet të cilat kanë qënë në qendër të vëmendjes së kësaj seance dëgjimore e cila duhet nënvizuar me keqardhje, është e para që zhvillohet pas seancës së pas zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996 në Kongresin amerikan dhe që tregon se problemet e lirive politike po bëhen një shqetësim në Shqipëri. Reagimi kërcënues i zyrtarëve të caktuar të Partisë Socialiste apo të medias së saj dhe të institucioneve shtetërore ndaj disa prej përfaqësuesve të shoqërisë civile është një kërcënim për liritë politike në Shqipëri, është një kërcënim, të cilin ky lidership jo vetëm që e ka institucionalizuar brenda PS-së nëpërmjet përjashtimit, jo vetëm që tashmë e ka demonstruar nëpërmjet kërcënimit sistematik të mediave në Shqipëri por edhe në raport me organet e drejtësisë dhe në përgjithësi me funksionimin e institucioneve në vend. Pra mendoj se ky reagim kaq arkaik dhe primitiv është edhe si rezultat i thyerjes së atij imazhi falls që ishte krijuar nga lidershipi aktual se Amerika mbështet gjithçka që bëhet në Shqipëri meqënëse Shqipëria mbështet angazhimet e Shteteve të Bashkuara dhe të koalicionit anti-terror në përgjithësi. Kjo nuk mund të shërbente dhe nuk mund të shërbejë si një përpjekje për të mbuluar dhe për të mos shikuar problemet mjaft serioze që has Shqipëria dhe që rriten çdo ditë siç janë funksionimi i shtetit ligjor, mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe njëkohësisht edhe rritja e shqetësimit përsa i takon lirive politike në vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta le të ndalemi tani tek planet tuaja. Nga çdo anë që ta anlizosh ju jeni tashmë i shkëputur nga Partia Socialiste. A jeni ju sot në gjendje të jepni një datë më të saktë për planet tuaja? Kur do të bëhet divorci juaj me Partinë Scialiste.

Ilir Meta: Fakti që ju vetë pyetjen e shtroni si një konfirmim të një fakti të kryer, por edhe zhvillimet më të fundit, pra reagimi ndaj kësaj seance dëgjimore apo një tjetër zhvillim gjatë kësaj kohe që unë nuk kam qënë në Tiranë siç ka qënë përjashtimi i një kryetari të Partisë Socialiste të Burrelit i cili është zgjedhur në mënyrë unanime me votim të fshehtë sipas gjithë procedurave nga konferenca atje e cila është shtyrë disa herë që ai të mos zgjidhet meqënëse ka ngritur probleme apo ka ndjekur një politikë pak të ndryshme nga ajo e krerit aktual. Pra fakte të tilla, një mungesë e tillë e reflektimit përsa i takon zhvillimit të demokracisë në Partinë Socialiste, zhvillimit të demokracisë në vend dhe njëkohësisht edhe një reflektim ndaj problemeve kryesore ekonomiko-sociale që kanë sot shqiptarët. Një tregues i kësaj është edhe ky marshim që po vazhdon pra i minatorëve të Burrelit, por janë edhe shumë probleme dhe shqetësime të tjera që unë i kam quajtur si kërcënime sociale për stabilitetin politik të vendit, të gjitha këto tregojnë se ndaj platformës sonë për integrim që paraqitëm në 12 qershor në konferencën e Partisë Socialiste të Tiranës, jo vetëm që nuk ka një reagim mirëkuptues dhe konstruktiv por përkundrazi reagimi refraktar po shkallëzohet. Kjo, praktikisht, po e bën fakt të kryer shndërrimin e kësaj lëvizjeje që ne kemi nisur në 12 qershor dhe e cila tashmë ka shpalosur principet dhe qëllimet e saj politike në shumë zona të vendit dhe ka gjetur mbështetje shumë të gjerë nga anëtarësia socialiste por edhe nga shumë intelektualë të pangazhuar deri tani në politikë, pra po e bën fakt të kryer shndërrimin e saj në një të ardhme të afërt në një forcë politike konkuruese.

Zëri i Amerikës: Për sa ditë bëhet fjalë, data më e afërt......

Ilir Meta: Sigurisht që nuk mund të jap një datë thjesht për t’iu përgjigjur interesit apo kuriozitetit tuaj dhe të teleshikuesve për arsye sepse do të më duhet të diskutoj edhe me kolegët e tjerë, të cilët kanë të njëjtat shqetësime dhe të njëjtat angazhime që kjo gjendje të mos vazhdojë më.

Zëri i Amerikës: Deri tani ju keni mbështetjen e vetëm 6 deputetëve në parlament, pa ju llogaritur ju vetë dhe bashkëshorten tuaj. A mendoni se kur të bëni shkëputjen përfundimtare do të siguroni më shumë dhe përse nuk keni tërhequr më shumë deputetë të tjerë socialistë në lëvizjen tuaj?

Ilir Meta: Unë mendoj se këtë do ta tregojë data 5 shtator kur deputetët të bëjnë deklarimin në grupet parlamentare, së dyti unë besoj se nëse gjërat do të vazhdojnë në këtë drejtim dhe me sa duket vetë këto reagime që ju po transmetoni nga Tirana tregojnë që nuk mund të ketë një reagim konstruktiv nga pala tjetër, atëherë pa dyshim që ky do të jetë grupi i tretë parlamentar në parlamentin e ardhshëm. Ndërsa përsa i takon përpjekjes për të mbledhur sa më shumë deputetë nuk jemi të interesuar dhe të përqëndruar për të mbledhur dy deputetë më shumë apo dy më pak. Përse? Sepse kjo nuk është thjesht një iniciativë apo nuk është një përpjekje e një grupi deputetësh për të mbijetuar dhe për t'u rizgjedhur. Kjo është një lëvizje dhe vetë takimet e gjëra që ne kemi zhvilluar, disa në Tiranë, në zona të tjera në veri të vendit, në Elbasan, në Lushnje etj, tregojnë qartë që kjo ka një përkrahje shumë të madhe. Vetë fakti që gati 180 pedagogë, profesorë, akademikë, intelektualë të paangazhuar deri tani në një forcë politike janë përfshirë në këtë lëvizje, disa prej tyre janë afirmuar edhe hapur, tregon qartë që kjo nuk është një çështje thjesht e një grupi deputetësh të kënaqur apo të pakënaqur por këtu ka disa principe dhe disa qëllime shumë të larta që i sigurojnë një perspektivë të padiskutueshme kësaj lëvizje dhe kësaj force politike në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Në se marrim në konsideratë zgjedhjet e fundit, numri i votave midis socialistëve dhe demokratëve, se bashku me aleatët respektivë të secilës palë ishte pothuajse i barabartë. Dalja juaj më vete mund të bënte atë për të cilën ju jeni kritikuar nga individë të ndryshëm brenda partisë socialiste se do të ndante votat e kësaj partie dhe do ta bënte atë që të humbiste në zgjedhjet e ardhshme. Si ju përgjigjeni ju kritikave se do të bëheni shkaktar i humbjes së kësaj force në zgjedhje, pra i fitores së opozitës?

Ilir Meta: Në rast se këta individë kanë shqetësim vërtetë për pushtetin e Partisë Socialiste apo akoma më, u dhëmb shpirti për Shqipërinë, atëherë këta duhet menjëherë të reflektojnë se janë përgjegjësit kryesor të kësaj periudhe izolimi që po përjeton Shqipëria, e cila nuk është si dikur pra kur ishte e izoluar në mënyrë hermetike, por tani izolimi është në një formë të re. Tani të thonë Shqipëria është prapë pranë dyerve të Natos, është prapë pranë dyerve të Bashkimit Evropian. Dhe ne këtë dëgjojmë samit pas samiti, vit pas viti, por Shqipëria nuk hyn në to, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera të cilat kanë ndarë të njëjtën të kaluar me Shqipërinë, të njëjtat probleme ecin dhe bëhen anëtare të Natos apo janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian apo kanë nënshkruar prej kohësh marrëveshjen e stabilizim-asociimit siç ishte rasti i Kroacisë dhe Maqedonisë me të cilat Shqipëria nisi në të njëjtën kohë procedurat. Shumë vende të Afrikës dhe të Azisë dhe të Amerikës Latine përfitojnë nga ndihma e Mijëvjeçarit, Shqipëria JO, për shkak të korrupsionit dhe atyre parametrave që kanë të bëjnë me qeverisjen. Pra problemet këta Shokë që në fakt janë zotërinj, duhet t'i gjejnë pikërisht tek keq-qeverisja që ata ofrojnë, tek mungesa e transparencës, tek mungesa e besimit, tek mungesa e investimeve, tek demagogjia e cila nuk shitet më tek qytetari shqiptar dhe këta duhet të kuptojnë që lidershipi që ata ofrojnë është në kundërshtim të plotë me potencialet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të rinisë shqiptare e cila një pjesë shumë e mirë e saj është edukuar dhe shkolluar edhe në universitetet më të mira të Amerikës dhe të Evropës Perendimore që kërkon një zhvillim tjetër, jashtë kornizave të mykura të këtyre shokëve dhe zotërinjve. Dhe në qoftëse këta vërtet kanë hallin e pushtetit të Partisë Socialiste dhe të integrimit të Shqipërisë atëhere le të pranojnë platformën për integrim. Por ata nuk mund të pranojnë që anëtarët e Partisë Socialiste të jenë të gjithë të barabartë sepse shumica e anëtarëve të partisë socialiste ka të njëjtat probleme që ka shumica e Shqipërisë. Nuk janë të tërë Tendermen siç i kam quajtur unë, janë një grup shumë i vogël. Ky grup tendermenësh janë nëpër kryesira, pra janë në ato organe të cilat kontrollohen nëpërmjet kontrollit të pushtetit dhe në këtë mënyrë nuk përfaqësohet mendimi i anëtarësisë masive të Partisë Socialiste që është tërësisht e injoruar edhe e cila është tërësisht e shmangur nga përfaqësimi i saj politik. Dhe në qoftë se këta duan ta pranojnë një anëtar, një votë që ne të mos marrim një hap tjetër, por ne nuk mund të ndajmë më përgjegjësinë së bashku me këta për të vazhduar këtë lloj izolimi të Shqipërisë dhe të bashkohemi me ta me këtë gjuhë kaq të vjetër që ata përdorin siç ishte ajo që përmëndët edhe ju.

Zëri i Amerikës: Le ta vazhdojmë më tej me kritikat që keni bërë ju për gjendjen ekonomike në Shqipëri. Një nga problemet me të cilat ndeshet Shqipëria, i cili ushqen edhe korrupsionin e krimin e organizuar është ndikimi i interesave ekonomike në politikë. Ju keni bërë kritika por a është e mundur dhe në se po, çfarë alternative, çfarë plani ofroni ju, a jeni në gjendje ta mbani politikën jashtë kontrollit të grupeve me interesa ekonomike?

Ilir Meta: Pjesa e fundit e pyetjes suaj është në fakt edhe problemi themelor që ka sot vendi. Gjithë këto probleme të transparencës, të korrupsionit, të funksionimit të shtetit, të zbatimit të ligjit etj, janë të lidhura me një problem madhor, me një pengesë madhore që ka vendi që është pikërisht konflikti i madh i interesave të grupeve të caktuara të cilat janë në qeveri apo kontrollojnë vendimet e qeverisë, pra kontrollojnë vendimet publike, pra interesat e tyre bëjnë që këto vendime të jenë në funksion të interesave të biznesit apo të grupeve që këta përfaqësojnë. Ndaj një nga pikat kryesore të platformës për integrim ka qënë dhe mbetet zgjidhja e menjëherëshme e konfliktit të interesave, një ligj ky që ka qënë me kohë i kërkuar, i rekomanduar, i këshilluar nga insitucionet ndërkombëtare por gjithmonë është zvarritur dhe do të zvarritet sepse po të aplikohet ai, gjysma e gjithë qeveritarëve në të gjitha nivelet duhet të largohen nga postet e tyre. Problemi themelor në Shqipëri nuk janë thjesht ligjet, por zbatimi i tyre. Është mungesa e vullnetit politik për t'i zbatuar ato. Ne flasim për monopolet, nuk ka ndonjë ligj në Shqipëri që të përcaktojë pozitën monopol me përjashtim të ndonjë enti publik etj, por mënyra sesi zbatohet ligji nga personat, të cilët kanë interesa në fusha të caktuara duke përdorur administratën tatimore, duke përdorur administratën doganore, policinë e ndërtimit, të gjitha llojet e policive për të goditur konkurentët e tyre në treg dhe për të siguruar pozita monopol, pra me të gjitha mundësitë që u jep shpërdorimi i pushtetit, ka bërë atë që të kemi një situatë asfiksie në përgjithësi të zhvillimit ekonomik të vendit. Zbatimi i ligjit në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë të paanëshme mendoj se është çelësi për të çuar përpara shoqërinë shqiptare dhe për t'i dhënë besim qytetarit tek institucionet dhe njëkohësisht për ti dhënë besim investitorit vendas apo të huaj tek shteti i tij dhe për të krijuar një mjedis të shëndetshëm në zhvillimin e biznesit.

XS
SM
MD
LG