Lidhje

Terrori dhe pushteti ekzekutiv: deri ku shkojnë kompetencat e presidentit? - 2004-07-25


Gjykata e lartë amerikane mori vendim kohët e fundit që qeveria nuk mund të mbajë për një kohë të pacaktuar të dyshuarit si luftëtarë armiq. Është fjala për individët që dyshohen se kanë kryer akte armiqsore kundër Shteteve të Bashkuara. Në bazë të vendimit të gjykatës, qeveria duhet t’u japë atyre rastin të kundërshtojnë mbajtjen e tyre në burg para një trupi të paanshëm që do të rishikonte statusin e tyre. Po, a përbën ky vendim një pengesë në luftën kundër terrorizmit apo një masë të dëmosdoshme në kohë krize? Korrespondenti ynë, Jarosllav Anders, na sjell hollësi.

Gjykata e lartë rishikoi rastet e dy shtetasve amerikanë, Yasser Esam Hamdi-ut dhe Jose Padilla-s, të mbajtur si luftëtarë armiq. Qeveria amerikane thotë se ata po përgatisnin sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, por nuk ka ngritur padi kundër tyre. Gjykata mori gjithashtu në shqyrtim rastin e gati 600 të huajve të kapur në Afganistan dhe të burgosur në bazën detare amerikane në Guantanamo të Kubës. Stuart Taylor i Institutit Brookings tha kohët e fundit se qeveria është përpjekur t’i mbajë të dyshuarit të izoluar për ditë, muaj e madje me vite.

”Gjatë kësaj kohe, administrata tha se të ndaluarit nuk kanë të drejtë të takohen me avokatë, anëtarë të fmailjes, me askënd tjetër me përjashtim të hetuesve dhe se jo amerikanët të mbajtur jashtë territorit të Shteteve të Bashkura nuk kanë të drejtën të kërkojnë asnjë rishikim ligjor të rasteve të tyre. Kurse për shtetas amerikanë lejohen vetëm rishikimet më të përcipta, edhe nëse ata janë kapur brenda kufinjve amerikanë”.

Qeveria pretendonte se këto kushte ishin të domosdoshme për të shtënë në dorë dhe ruajtur informacion të vlefshëm nga të ndaluarit dhe për të parandaluar akte të tjera terroriste kundër Amerikës. Por Gjykata e lartë nuk u pajtua me këtë. Ajo vendosi që shtetas amerikanë të mbajtur si luftëtarë armiq, por që pretendojnë se janë të pafaajshëm, duhet të jenë në gjendje të paraqesin rastet e tyre para një trupi gjykues të paanshëm. Gjykata Supreme shkoi edhe më tej dhe mori vendim që mundësia për një lloj rishikimi ligjor, ndoshta nga një gjyq ushtarak, duhet t’u krijohet edhe të ndaluarve jo-amerikanë që ndodhen në Guantanamo. Neal Katyal, profesor i drejtësisë në Universitetin Georgetown në Washington, thekson se megjithëse lufta kundër terrorizmit kërkon kompetenca më të mëdha ekzekutive, ekzekutivi nuk duhet të përdorë si pretekst sekretet.

”Administrata veçse ka bërë disa deklarata tepër të përgjithshme në lidhje me kompentencat e komandatit të forcave të armatosura me një orientim kryeneç drejt ruajtes së sekreteve. Të marra së bashku, përbëjnë një recetë të rrezikshme”.

Gjykata Supreme Amerikane konfirmoi që presidenti ka të drejtë të kapë dhe të mbajë armiqtë e vendit, por jo pacaktim kohor dhe pa procedura ligjore që garantojnë të drejtat e tyre.

Por Larry Thompson, ish-Prokuror i Përgjithshëm, thotë se Shtetet e Bashkuara ndodhen përballë një lloj armiku të pashembullt. Sipas mendimit të tij, Gjykata e Supreme nuk ka marrë parasysh një situatë dramatike, e cila mund të kërkojë pezullimin e standarteve normale të drejtësisë penale.

”Është si në rastin e një bombe me sahat. Në një rast të tillë, systemi i drejtësisë penale, kuptohet qartë, nuk është i papërshtashëm për t’u marrë me një person që është gati të hedhë veten në erë dhe Amerikës i duhet të nxjerrë informacion për të parandaluar humbjen e jetës së të pafajshëmve”.

Kjo është arësyeja, thotë Larry Thompson, që qeveria ngul këmbë për procedura ushtarake në vend të procedurave penale, kur siguria e një numri të madh njerëzish është në rrezik.

Një analist tjetër, David Rivkin, thekson se Gjykata Supreme, në thelb, është dakord me këtë. Ai shton se trajtimi i të dyshuarve për terroristë si luftëtarë dhe jo shkelës të ligjit, nuk ua heq atyre të drejtën e mbrojtjes ligjore.

”Ekzistojnë të drejta, ekzistojnë procedura të caktuara penale edhe në sistemin ushtarak”.

David Rivkin thekson se forcat amerikane kanë ndaluar dhe mbajtur rreth 10 mijë individë në Afganistan. Më pak se 700 e tyre janë dërguar në Gjirin Guantanamo, kurse mbi 100 janë liruar.

Ndërkohë, qeveria amerikane ka ndërmarrë masa për të zbatuar vendimet e Gjykatës së lartë. Pentagoni njoftoi se do të zhvillonte seanca për shqyrtimin e rasteve të të ndaluarve në Guantanamo dhe t’i informojë se kanë të drejtën të kundështojnë mbajtjen e tyre në burg. Por fati i të burgosurve varet nga shumë intepertime procedurore të pazgjidhura dhe shpesh të ndërlikuara për shkak të vendimeve të Gjykatës. Megjithatë gjykata ka dërguar një mesazh të fortë, se, siç shprehet një nga anëtarët e saj, Sandra O’Connor, një gjendje lufte nuk garanton kompetenca të pakufizuara për presidentin.

XS
SM
MD
LG