Lidhje

Bostoni mirëpret delegatët në kuvendin e Partisë Demokrate - 2004-07-26


Kuvendi kombëtar i Partisë Demokrate për të emëruar kandidatin e kësaj partie për zgjedhjet presidenciale fillon të hënën në qytetin e Bostonit. Anëtarët e partisë po e shfrytëzojnë këtë forum katër ditor për të paraqitur një imazh bashkimi për popullin amerikan.

Nuk janë planifikuar të papritura gjatë punimeve të kuvendit të enjten, kur senatori John Kerry të pranojë emërimin e Partisë së tij për president. Senatori John Edwards do të jetë kandidati demokrat për nën-president.

Përreth pallatit të sportit Fleet Center, ku do të zhvillohet kuvendi, janë vënë në zbatim masa të rrepta sigurie. Më shumë se 4 mijë e 300 delegatë demokratë nga 50 vende do të mblidhen, së bashku me delegatë që përfaqësojnë territoret amerikane dhe amerikanët që jetojnë jashtë vendit.

Guvernatori i shtetit Masaçusets Mit Romney, i cili kryesoi operacionet përgatitore për Lojrat Olimpike Dimërore të vitit 2002 në qytetin Salt Lake, tha për emisionin Today të rrjetit NBC se është i kënaqur me përgatitjet për kuvendin:

“Kuvendi është më i shkurtër sesa Lojrat Olimpike. Kemi vetëm një objektiv kryesor, Pallatin e Sportit ku zhvillohet kuvendi. Me një fond prej afro 50 milion dollarësh dhe me mbi 3 mijë veta në personel, forca ushtarake dhe forca të rendit, me të vërtetë janë bërë përgatitje të mira,” thotë zoti Romney.

Guvernatori Romney, i cili e përshkruan veten si një republikan i vetmuar në një shtet kryesisht demokrat, siç është Masaçusetsi, thotë se megjithëse nuk është dakort me demokratët, përsëri do t’u urojë mirëseardhjen në Boston.

Në ditën e parë të kuvendit do të flasin ish-presidentët demokratë Jimmy Carter dhe Bill Clinton. Ndër të tjerë, fjalën do të marrin edhe ish-nën-presidenti dhe kandidati për president në zgjedhjet e vitit 2000, Al Gore, anëtarët e Kongresit si dhe një ndër bashkë-luftëtarët e zotit Kerry në luftën e Vietnamit.

Ish-zonja e parë dhe tani senatore, Hillary Rodham Clinton do të prezantojë të shoqin. Ajo tha në emisionin Today se nuk do të kritikojë presidentin Bush, por do të paraqesë argumenta në mbështetje të kandidaturës së zotit Kerry:

“Unë dua të flas për John Kerin, të cilin e njoh dhe e admiroj dhe mendoj se do të jetë një president shumë i mirë. Mendoj se ai është personi i duhur për t’u bërë president në këtë periudhë. Kam besim se ai do të marrë vendime që do të mbrojnë elektoratin tim dhe të gjithë amerikanët,” thotë senatorja Klinton.

Ndërkaq, jashtë sallës së kuvendit, mijëra demostrues u mblodhën dje për të protestuar kundër luftës në Irak, për lirinë e fjalës dhe të drejtat e homoseksualëve. Pritet që gjatë kuvendit të ketë edhe protesta të tjera. Demonstruesit lejohen të tubohen pranë qendrës Fleet Center, në një zonë të rrethuar me tela me gjemba, të mbuluar me një rrjetë plastike, të cilën shumë demnstrues e kanë krahasuar me kafazët e kafshëve.

XS
SM
MD
LG