Lidhje

Sot në Boston fillon Kuvendi i Partisë Demokrate - 2004-07-26


Ish presidenti Bill Clinton do të jetë përsëri në qendër të skenës politike kur sonte të fillojë kuvendi kombëtar i Partisë Demokrate në Boston. Presidenti Klinton do të mbajë një fjalim të rëndësishëm për t’i dhënë shtytje mbështetjes për kandidatin e kësaj partie John Kerry.

Zoti Klinton, presidenti më i fundit demokrat në Shtëpinë e Bardhë do të flasë rreth orës 22 të mbrëmjes. Fjalimi do të shënojë përfundimin e ditës së parë të kuvendit, që udhëheqësit e partisë thonë se do të përqëndrohet tek anët pozitive dhe do të thellojë kritikat ndaj presidentit Bush.

Ish presidenti Jimmy Carter, senatorja e New Yorkut Hillary Rodham Clinton dhe ish nën presidenti Al Gore do të mbajnë gjithashtu fjalime. Kuvendi katër-ditor i Partisë Demokrate do të përqëndrohet tek ”plani për Amerikën” i senatorit Kerry dhe zotit John Edwards, si cili pritet të emërohet si kandidati për nënpresident i kësaj partie. Kuvendi gjithashtu do të përqëndrohet tek figura e senatorit Kerry si një veteran i luftës së Vietnamit dhe senator për katër mandate. Zoti Kerry do të shkojë në kuvend të mërkurën dhe do të pranojë zyrtarisht kandidaturën presidenciale ditën e enjte.

Ndërkohë, ndërsa sot filloi kuvendi i demokratëve në qytetin e Bostonit, zoti John Kerry, po mban fjalime në disa qytete amerikane.

Zoti Kerry mbajti sot një fjalim në Qendrën Kenedi të Hapësirës, në shtetin e Floridës dhe do të mbajë fjalime të ngjashme në shtetin e Virginias dhe nesër, në qytetin e Filadelfias në Pensilvani.

Sot, Senatori Kerry përmendi në fjalimin e tij hapjen e vendeve e punës, duke thënë se do ta përgjysmojë deficitin e Shteteve të Bashkuara dhe se do të jetë i përgjegjshëm për problemet fiskale të vendit, në se do të zgjidhet president. Ai tha gjithashtu, se në se fiton në zgjedhjet e nëntorit, ai do të mbështesë kërkimet për SIDË-n, si dhe në fushën e qelizave embrionale, që kanë ngjallur debate të fuqishme në Shtetet e Bashkuara.// lk //

XS
SM
MD
LG