Lidhje

Veteranët mbështesin kandidaturën e zotit Kerri - 2004-07-28


Kur John Kerry të pranojë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për president, ai do të ketë përkrahjen e shumë veteranëve që janë mbledhur në Boston me rastin e kuvendit.

Senatori Kerry dhe drejtuesit e fushatës së tij janë angazhuar për të vënë në dukje shërbimin ushtarak të zotit Kerry gjatë Luftës në Vietnam. Ndër fotografitë që janë vendosur në muret e sallës ku po zhvillohet kuvendi, ka shumë momente nga shërbimi ushtarak i zotit Kerry gjatë Luftës së Vietnamit, ku ai ishte komandant i një motoskafi luftarak.

Në një tubim të organizuar nga Partia Demokrate në një hotel pranë sallës së kuvendit, drejtuesit e fushatës ftuan disa veteranë, një prej të cilëve ishte Jim Wasser:

“Unë dhe bashkë-luftëtarët e mi kemi një mision të fundit. Duam të bëjmë të mundur që zoti Kerry të zgjidhet presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara, pasi ai di të kujdeset për këtë vend dhe di si t’u shërbejë interesave të të gjithëve,” tha zoti Wasser.

Fushata e zotit Kerry, në përpjekjet për zgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara, ka kërkuar ndihmë edhe nga një prej kundërshtarëve të tij, ish gjenerali Wesley Clark.

“Ne të gjithë kemi dalë në pension. Ne të gjithë jemi të bashkuar. Nuk është fjala për gradat ushtarake, por për kujdesin, guximin dhe dhumbshurinë. Ne dolëm vullnetarë për t’i shërbyer atdheut tonë. Prandaj jemi të gjithë bashkëluftëtarë të John Kerrit. Jemi të angazhuar të sjellim në udhëheqjen e këtij vendi një njeri që nevojitet në kohë lufte. Prandaj në Shtëpinë e Bardhë duhet të kemi John Kerrin me John Edwards,” tha zoti Clark.

Jo të gjithë veteranët e mbështesin zotin Kerry. Kundërshtimi i tij i hapur ndaj luftës në Vietnam, i shprehur edhe në një dëshmi para Kongresit dhe në fjalimet e tij kundër luftës në vitet ’70, kanë ngjallur kundërshtime të forta nga veteranë të tjerë.

Bazuar në kundërshtimin e zotit Kerry ndaj luftës në Azinë Juglindore, disa njerëz e cilësojnë atë si jo-patriot dhe e akuzojnë Partinë Demokrate se nuk ka dhënë mbështetjen e duhur për trupat në Irak.

Disa muaj më parë, Sam Johnson, një veteran i Luftës në Kore dhe Luftës në Vietnam, iu përgjigj kritikave të demokratëve se administrata e presidentit Bush nuk ka vepruar si duhet pas përfundimit të konfliktit në Irak:

“Demokratët po tërhiqen, duke e quajtur luftën të pafitueshme, ndërkohë që djemtë e vajzat tona në ushtri si dhe familjet e tyre po sakrifikojnë çdo ditë. Kjo duhet të ndalet, tani,” tha zoti Johnson. Por siç treguan brohoritjet në tubimin e veteranëve pro-senatorit Kerry, kandidati demokrat për president ka pas vetes përkrahje të konsiderueshme nga grupe veteranësh, të cilët po punojnë për t’i siguruar atij fitoren në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG