Lidhje

Vota e pakicave në zgjedhjet presidenciale - 2004-07-29


Anketat e fundit të opinionit tregojnë se presidenti George Bush dhe kandidati demokrat për president John Kerry gëzojnë të njëjtën mbështetje në garën presidenciale. Pritet që zoti Kerry ta shtojë pak epërsinë e tij pas kuvendit të partisë së tij, por e njëjta gjë do të ndodhë edhe me presidentin Bush pasi republikanët të zhvillojnë kuvendin. Ekspertët thonë se gara do të jetë shumë e fortë. Në këtë klimë, pakicat në Amerikë luajnë një rol jetik në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Hispanikët dhe afrikano-amerikanët, dy drupet kryesore të pakicave në elektoratin amerikan mund të hedhin votat vendimtare në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, siç thotë Dekani i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin George Washington, Christopher Arterton: "Në këto rrethana gara është shumë e fortë, njerëzit kanë vendosur për kë do të votojnë. Njerëzit filluan shumë shpejt t’i kushtojnë vëmendje fushatës, prandaj në atë grup të vogël prej 14-16 shtetesh të lëkundura çdo votë është shumë e rëndësishme për secilën palë".

Si demokratët ashtu edhe republikanët kanë vënë në shenjestër votat e pakicave. Dean Arterton thotë se këtë vit hispanikët, afrikano-amerikanët dhe grupet e tjera janë përqëndruar në çështje të ngjashme: "Gjendja e ekonomisë, një çështje e politikës së brendshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër lufta kundër terrorizmit, lufta në Irak dhe kundërpërgjigja ndaj sulmeve të 11 shtatorit nga ana tjetër".

Lidhja Urbane, një organizatë e fuqishme afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara ka tërhequr vëmendjen si të presidentit Bush ashtu edhe të senatorit Kerry. Senatori Kerry foli para anëtarëve të organizatës javën e kaluar dhe theksoi të drejtat civile, dhe çështjet ekonomike për t’i nxitur të votonin për të: "Unë do të shtoj mundësitë për sigurimin e kontratave federale për bizneset që zotërohen nga pakicat në zonat urbane, pasi vetëm kështu mund të arrijmë drejtësi në Amerikë", tha senatori Kerry.

Presidenti Bush i akuzoi demokratët se e konsiderojnë si të garantuar votën e afrikano-amerikanëve: " A e kanë ndihmuar zgjidhjet e Partisë Demokrate komunitetin afrikano-amerikan? Këtë pyetje shpresoj të ngrenë njerëzit kur të shkojnë për të votuar" tha presidenti.

Tradicionalisht si hispanikët ashtu edhe afrikano-amerikanët votojnë për Partinë Demokrate. Por, siç shpjegon profesor Arterton, republikanët shpresojnë se kjo strategji e re do t’i ndihmojnë të sigurojnë disa prej votave të tyre: "Strategjia e republikanëve ka për synim të rrëmbejë disa vota të demokratëve, ose së paku të dekurajojë disa nga pjesëtarët e pakicave në mënyrë që ata të mos votojnë".

Me afrimin e kuvendit të republikanëve, presidenti dhe anëtarët e tjerë të partisë do të përpiqen të tërheqin votat e pakicave në anën e tyre. Profesori Arterton thotë se republikanët mund të fitojnë disa vota të afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve, si rrjedhojë e qëndrimit të tyre konservator në çështje sociale, si kundërshtimi i tyre ndaj abortit dhe ndaj martesës së homoseksualëve, në përputhje me parimet e krishtërimit, të cilave iu përmbahen shumë pjesëtarë të pakicave.

Republikanët shpresojnë se në një garë të tillë të fortë, një numër i vogël votash mund ta anojë fitoren nga ata.

//rd//

XS
SM
MD
LG