Lidhje

Profil i kandidatit presidencial John Kerry - 2004-07-29


Senatori nga shteti Masaçuesets, John Kerry do të pranojë zyrtarisht sot emërimin e Partisë Demokrate për president. Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit që kur filloi fushatën, beteja e vërtetë për Shtëpinë e Bardhë fillon tani. Por, cili është kandidanti mbi të cilin demokratët kanë vënë shpresat për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Sipas miqve të tij John Kerry ka pasur gjatë gjithë jetës aspirata për t’u bërë president. Tani ai ka shansin ta realizojë këtë pikësynim tani në moshën 60 vjeçare. "Po konkuroj për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për ta kthyer Amerikën në rrugën e duhur, për t’i kthyer amerikanët në punë dhe për ta bërë të qartë se i vetmi amerikan që duhet të humbë punën është George Bushi", tha zoti Kerry.

Për herë të parë që pas Luftës së Ftohtë, votuesit amerikanë e shohin politikën e jashme, veçanërisht luftën në Irak, si çështjen kryesore në zgjedhjet presidenciale. Senatori Kerry, anëtar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, votoi në favor të ndërhyrjes ushtarake në Irak, megjithatë më pas votoi kundër kërkesës së presidentit për buxhetin 87 miliard dollarësh për nevoja ushtarake dhe ndihma për rindërtim, me arsyetimin se kjo shumë duhet të sigurohet duke eliminuar shkurtimin e taksave për të pasurit.

Zoti Kerry mbështet gjithashtu aleancat për zgjidhjen e çështjeve globale. "Mendoj se na duhet një president, i cili të dijë si t’i forcojë aleancat e Amerikës dhe të na forcojë ne në botë duke rikthyer respektin dhe ndikimin që gëzonim më parë".

Senatori Kerry mbështet tregëtinë e lirë, duke vënë theksin mbi standartet e punës dhe të mjedisit. Ai ka premtuar gjithashtu politika për të pakësuar transferimin e vendeve të punës së amerikanëve jashtë.

Por në këto zgjedhje, amerikanët janë po aq të interesuar në programin e brendshëm politik të kandidatit. Ai cilësohet si liberal dhe në planin e brendshëm kundërshton dënimin me vdekje dhe mbron të drejtën e abortit.

Shumë nga zgjedhjet që ka bërë John Kerry si senator janë ndikuar nga përvoja e tij si komandant ushtarak në Vietnam më shumë se 30 vjet më parë. Sipas analistit Dennis Johnson, në ujërat e rrezikshme të Deltës Mekong, John Kerry tregoi guxim dhe motivim, cilësi që karakterizuan karrierën e tij të mëpasshme politike. "Pëvoja e tij në Vietnam ka qenë një aspekt thelbësor i karakterit të tij".

Analisti Stephen Hess është i të njëjtit mendim dhe shton se shërbimi i tij ushtarak la gjurmë të thella dhe ndikoi në formimin e tij: "Ai shërbeu për një periudhë të shkurtër, por u tregua i guximshëm. Më pas ndryshoi mendje për angazhimin e Amerikës në luftë dhe u bë një ndër udhëheqësit e lëvizjes kundër luftës".

Ky hero lufte ishte kritik i hapur i konfliktit dhe mori pjesë edhe në protesta dhe në dëshmi para Kongresit, duke tërhequr vëmendjen e gjithë Amerikës.

Karriera politike e John Kerrit filloi një dekadë më vonë kur u zgjodh zëvendës-guvernator i shtetit Masaçusets. Në vitin 1984 ai u zgjodh në Senatin amerikan, ku, siç thonë përkrahësit e tij, ai shquhet si një politikan serioz dhe i vendosur, ndërsa kritikët theksojnë stilin e tij të ftohtë.

Pasi u nda nga gruaja e parë, ai u martua me Tereza Heinz e veja e ish-senatorit republikan John Heinz.

Pas një karriere të gjatë në poste publike, tani senatori Kerry fillon fushatën për pikësynimin më të lartë, postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG