Lidhje

Sot në Irak: vriten një amerikan dhe një polak - 2004-07-29


Në Irak, një konferencë kombëtare politike, e planifikuar për të filluar të shtunën, është shtyrë për dy javë. Një anëtar i komisionit përgatitor tha sot se vendimi u mor nën presionin e Kombeve të Bashkuara.

Një mijë delegatë do të marrin pjesë në konferencë për të zgjedhur një këshill të përkohshëm kombëtar me 100 anëtarë, hap ky i rëndësishëm në kalimin e Irakut drejt demokracisë.

Këtë javë, një përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në Irak u bëri thirrje organizatorëve që të shtyjnë konferencën, duke thënë se duhet më shumë kohë që në të të marrin pjesë sa më shumë përfaqësues.

Ndërkohë, Polonia njoftoi se një ushtar i saj në Irak u vra dhe 3 të tjerë u plagosën nga një minë me telekomandë. Ushtria amerikane njoftoi se një ushtar amerikan u vra sot, kur patrulla e tij u sulmua afër qytetit të Havijës.

Po ashtu, në Irak, ekstremistët që mbajnë peng 7 shoferë kamionësh kërcënuan se do të vrasin nesër njërin prej tyre, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në një video që i dërgoi sot mediave, grupi "Flamujt e Zinj", tha se pengjet, tre indianë, tre kenianë dhe një egjiptian, janë luftëtarë që mbështesin ushtrinë amerikane në Irak. Ky grup ekstremist ka kërkuar që kompania e shoferëve të tërhiqet nga Iraku. Videokaseta tregon njërin nga pengjet indiane të cilit i është drejtuar arma.

Ndërkaq, televizioni i Dubait transmetoi një video ku ekstremistët thonë se kanë kapur katër jordanezë që punojnë në Irak. Para kësaj, televizioni arab Al Jazeera njoftoi se ektremistët kishin rrëmbyer një shofer kamioni nga Somalia. Dje Al Jazeera njoftoi se rrëmbyesit në Irak kishin vrarë dy pengje pakistaneze.// lk //

XS
SM
MD
LG