Lidhje

Terrorizmi dhe përkufizimi i kërcënimit terrorist - 2004-07-30


Zyrtarët amerikanë kanë folur shpesh herë për luftën kundër terrorizmit. Mirëpo në raportin përfundimtar të Komisionit që ka kryer hetime mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit kritikohet qeveria se nuk e ka përcaktuar mirë këtë kërcënim. Në fakt, ekzistojnë shqetësime rreth përkufizimit të qartë të kërcënimit.

Të gjitha provat në dispozicion tregojnë se protoganisti kryesor i sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 ishte Osama Bin Laden dhe kuadrot radikal islamikë të organizatës së tij Al-Qaida. Por zyrtarët amerikanë, përfshirë Presidentin Bush në përgjithësi flasin vetëm për luftën kundër terrorismit dhe zakonisht nuk përmendin askend me emër.

Në raportin e tij, komisioni që bëri hetime rreth sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara thuhet se armiku nuk është thjeshtë një djall i përgjithshem i cilësuar me emërin ”Terrorizëm”. Në raport thuhet se një pa-qartësi e tillë mjegullon strategjinë e luftës kundër kërcnimeve terroriste.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, anëtarja e komisionit Jamie Gorelick tha se komisioni ka ardhur në përfundim se kërcnimi me të cilin po ballafaqohen Shtetet e Bashkuara është specifik dhe duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë.

“Ne mendojmë se deri tani qeveria jonë ka dështuar në emërimin e këtij armiku thjeshtë me fjalën ”Terrorizëm”. Terrorizmi është mjet. Ai nuk është armik në kuptimine mirëfillt të fjalës. Kurse problemi ynë nuk është çdo lloj terrorizmi. Ky është terrorizëm ekstremist islamik.”

Zonja Gorelick tha se komisioni mendon se duke mos përcaktuar si duhet armikun si terrorizëm, atëhere mund të përdoren taktika të gabuara për ta luftuar atë.

“Në këtë mënyrë ne përqendrohemi me shumë kujdes në këtë armik sepse nëse nuk e dimë me siguri se cili është ai, atëherë ne do të përdorim taktika të gabuara.”

Por fjala “Islamik” shumë rrallë përmendet në deklaratat e zyrtarëve amerikanë, të cilët kanë thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë kundër fesë islame, por vetëm një grupi relativisht i vogël fanatikësh të cilët e shfrytzojnë fenë islame për qëllimet e tyre politike.

Duke folur për Zërin e Amerikës me kusht që mos të identifikohet, një zyrtar i lartë i zbulimit amerikan tha se zyrtarët amerikanë kanë frikë të etikohen si anti-muslimanë.

“Nëse zyrtarët nuk e thonë, gjë që politikanët dhe zyrtarët tanë nuk dëshirojnë ta thonë, dhe nëse nuk e themi se jemi në luftë kundër islamizmit, atëherë të pakten duhet të thuhet se një pjesë e islamizmit është në luftë kundër nesh. Unë mendoj se një pjesë e madhe e botës islame e që dita-ditës po shtohet është në luftë kundër nesh. Luftë kundër terrorizmit është një shprehje që politikanët e përdorin sa për leverdi politike.”

Zonja Gorelick tha se zyrtarët, përfshirë anëtarët e komisionit që bëri hetimet rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit janë shumë të ndërgjegjshem se përcaktimi i kërcnimit me emërin radikalizëm islamik e jo vetëm ”Terrorizëm” rrezikon të karakterizohet si anti-musliman nga simpatizuesit e Osama Bin Ladenit.

Por zonja Gorelick tha se kërcënimi duhet të etikohet me saktësi në mënyrë që të luftohet siç duhet.//ii

XS
SM
MD
LG