Lidhje

Irak: sulme ndaj pakicës së krishterë - 2004-08-01


Të paktën 5 makina bombë shpërthyen sot në kryeqytetin irakian dhe në qytetin verior Mosul, në një sulm të bashkërenduar ndaj pakicës së krishterë të Irakut.

Njoftimet e para konfirmojnë se të paktën 2 persona mbetën të vrarë nga dy sulme në Bagdat dhe shumë të tjerë u plagosën. Ndërkaq, agjencia e lajmeve Reuters citon një dëshmitar, sipas të cilit të paktën 12 besimtarë janë vrarë nga një shpërthim i tretë në një kishë në jug të Bagdatit.

Shpërthimet janë sulmet e para të bashkërenduara të kryengritësve kundër pakicës së krishterë që pas rrëzimit të Sadam Huseinit 15 muaj më parë.

Pamjet televizive tregojnë një shtëllungë të madhe tymi në lagjen Karada, ndërkohë që punonjësit e ndihmave shpejtojnë për të shpëtuar personat e mbetur gjallë dhe për të shuar zjarret që përfshinë kishat pas shpërthimeve.

Në Mosul pati dy shpërthime pranë një kishe dhe zyrtarët thanë se ka pasur një numër të panjohur viktimash.

Ndërkohë, njoftime kontradiktore po mbërrijnë lidhur me lirimin e shtatë pengjeve të rrëmbyer 10 ditë më parë. Ministria e Jashtme e Kenias thotë se pengjet janë liruar dhe janë në ambasadën egjiptiane. Por kryenegociatori për lirimin e pengjeve në Bagdat thotë se ende nuk është arritur një marrëveshje dhe shtoi se ka pasur ndërlikime gjatë kontakteve me rrëmbyesit.

Po sot, zyrtarë të kompanisë që i kishte punësuar 7 pengjet, tre indianë, 3 kenianë dhe një egjiptian, thanë se të rrëmbyerit mund të liroheshin sot.

Në një tjetër zhvillim, një kanal televiziv arab bën të ditur se një grup kryengritës që ka lidhje me udhëheqësin ekstremist Abu Musab al-Zarkawi ka marrë peng 2 shoferë turq të cilët i kërcënon me vdekje. Ndërkaq, Libani thotë se 2 biznesmenë libanezë u rrëmbyen dje në Irak. Ende nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera.// lk //

XS
SM
MD
LG