Lidhje

Valët e radios në fushën e astro-fizikës - 2004-08-01


Astronomët kanë zbuluar 2 molekula të reja në një re të gazit dhe pluhurit që mbush zonën ndër-yjore pranë qendrës së Galaksisë Rruga e Qumështit. Observatori Kombëtar amerikan i Radio-Astronomisë njofton se ky zbulim po i ndihmon astronomët të kuptojnë më mirë proceset komplekse që çojnë në krijimin e molekulave të mëdha në hapësirë. Zbulimi u bë i mundur nga një radio teleskop gjigand, suksesi i të cilit varet nga krijimi i një mjedisi krejt të sterilizuar nga sinjalet elektronike. Radio teleskopi Green Bank, më i madhi i prodhuar ndonjëherë, është instaluar në një zonë rurale në Virxhinian Perëndimore, ku mbledh sinjale nga skaje të largëta të gjithësisë. Astronomët studiojnë në këtë mënyrë valët e radios që emetojnë yjet, kometat apo galaksitë e largëta. Territori prej 34 mijë kilometrash katrorë në Virxhinia dhe Virxhinian Perëndimore janë caktuar si zonë e heshtur kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Shmanget çdo gjë që mund të ndërhyjë në perceptimin e valëve nga pajisjet shumë të ndjeshme. Kjo nënkupton kufizimin e përdorimit të celularëve, lidhjeve pa tel me internet dhe transmetimeve nga radioja dhe televizioni. Wesley Sizemore e ka për detyrë të zbatojë rregulloren e qetësisë:

“Kemi si pikësynim të kufizojmë edhe ndërhyrjet që mund të shkaktojnë zhurmat e zonës së banuar, si linjat e energjisë, amplifikatorët televizivë dhe furrat me mikrovalë. Ka pasur raste kur kam shkuar për të hequr nga përdorimi batanije me korrent, ose termostate të prishur,” tha zoti Sizemore.

Wesley Sizemore ua bën të qartë banorëve se transporti rrotull zonës duhet të kufizohet tek makinat me naftë, pra motorët që nuk përdorin kandela, të cilat gjenerojnë sinjale radio. Astronomi Phil Jewell thotë se duke shmangur ndërhyrjet, bëhet e mundur të maten valët elektromagnetike që emetojnë molekulat kur përplasen.

“Po studiojmë objekte në skajet e gjithësisë. Në momentin kur këto objekte arrijnë distanca të largëta, sinjalet e tyre janë shumë të dobëta,” thotë zoti Jewell.

Prandaj, tre-katër herë në muaj Wesley Sizemore kontrollon zonën e heshtur dhe patrullon perimetrin e zonës për të parë se mos ka objekte që krijojnë ndërhyrje elektronike, në mënyrë që teleskopi gjigand Green Bank t’i vazhdojë kërkimet edhe më në thellësi të së panjohurës.

XS
SM
MD
LG