Lidhje

Lance Armstrong fiton Turin e Francës në çiklizëm - 2004-08-02


Që disa etapa para përfundimit u bë gati e qartë se fitorja e Turit të gjashtë të Francës për Lance Armstrong mund të ishte vetëm formalitet. Deri të djelën e 25 korrikut, ai bënte pjesë në grupin e pesë legjendave të çiklizmit që e kanë fituar këtë tur nga pesë herë: francezët Jacques Anquetil dhe Bernard Hinault, belgu Eddy Merckx dhe spanjolli Miguel Indurain. Duke e mbajtur e deri në fund të turit fanellën e verdhë të kryesuesit, Armstrong u shkëput nga ky grup për të prerë finishin si fituesi i vetëm i gjashtë Tureve të Francës - i gjashtë tureve radhazi.

Kur lindi më 18 shtator 1971 në Texas, askush nuk mund të parashikonte se Lance do të ishte çiklisti më i famshëm ndoshta i të gjitha kohrave, ngadhnjyes ndaj sëmundjes së kancerit dhe drejtues fondacionesh humanitare. Por personaliteti i tij i spikatur dhe atletizmi i tij fizik u vunë re që herët. Në moshën 13-vjeçare ai fitoi tregarëshin: një disiplinë që përfshin not - vrapim dhe çiklizëm. 16-vjeç ai ishte sportist profesionist i kësaj disipline.

Lance i mbetet idesë se ka lindur të ngasë biçikletën. Teksa stërvitej me ekipin olimpik amerikan të çiklizmit ai rrezikon të ngelë në maturë, por shpëton pasi mori mësues privat javët e fundit të shkollës. Më 1989 ai kualifikohet për kampionatin botëror të të rinjve në Moskë. Më 1991 shpallet kampion i çiklizmit amator në Shtetet e Bashkuara. Në garën e parë si profesionist në San Sebastian të Spanjës ai del i fundit me 27 minuta diferencë nga fituesi; por që atëherë ai ka marrë pjesë në dhjetra veprimtari çiklistike - nga më të rëndësishmet anekënd botës - dhe ka fituar dhjetra tituj - nga më prestigjizët.

Në vitin 1996, u detyrua të largohej nga biçikleta e tij për shkak të dhimbjeve të papërballueshme që i jepnin metastazat e kancerit - të përhapura në trupin e tij. Analizat tregonin se sëmundja i ishte përhapur nga gjendrrat mashkullore në mushkëri e tru dhe ai detyrohet t’i nënshtrohet operacioneve të vështira e terapive intensive me rreze e ilaçe. Ai fitoi mbi kancerin. Kjo sëmundje lë zakonisht pasoja të theksuara fizike dhe emocionale tek viktimat e saj, por Armstrong thotë se ishte gjëja më e vlefshme që i ka ndodhur në jetë, duke e quajtur kancerin ”një këmbanë të fuqishme për të”. Ai u bë zëdhënësi i lëvizjes kundër kancerit dhe themeloi fondacionin Lance Armstrong që synon të ndihmojë kërkimet për këtë sëmundje dhe të shtojë vetëdijën e publikut ndaj kancerit urologjik dhe rëndësinë e zbulimit të tij në kohë.

Megjithatë, Armstrong i detyrohet kancerit edhe për diçka tjetër mjaft të rëndësishme. Gjatë sëmundjes ai e ndjente veten më të dobët se kurrë dhe humbi plot dhjet kilogram masë të qenësishme muskulare. Pasi fitores ndaj kancerit, e shikon të domosdoshme gjetjen e rrugëve të tjera për të ekonomizuar energjitë e tij. Trajneri Chris Carmichael, thotë se Armstrong provoi që metoda e stërvitjes ”No pain - no gain” - pa dhimbje nuk bëhet përparim, është e gabuar.

”Nuk është më e vërtetë, thotë ai, që nëse nuk të dhembin muskujt nuk ke marrë dozën e duhur të stërvitjes. Është krejt e kundërta”.

Duke u stërvitur me intensivitet të lartë, trupi prodhon shumë acid laktik i cili bën që muskujt të dhëmbin fort deri në bllokim. Sipas metodës që zbuloi Armstrong, nuk duhet shkuar deri në pikën e djegies së muskujve, por disi më poshtë duke i dhënë mundësi sportistit të stërvitet më gjatë e të zhvillojë më tej aftësitë aerobike - gjë që do të pengohej nga prodhimi në sasi të madhe i acidid laktik. Përkundrazi, aftësi më të mira aerobike bëjnë të mundur që në gjak të ketë më shumë oksigjen, i cili vepron si antidotë kundër acidid laktik.

Siç e shihni, shumë prej këtyre çiklistëve stërmundohen tek pedalojnë më këmbë duke përdorur marrsha me xhiro të shumta dhe ndjerë diegien e acidit laktik. Kurse Armstrong merr më shumë oksigjen duke qendruar ulur në shalë dhe përdorur marrshat me xhiro më të pakëta.

Por Armstrong nuk është mjaftuar vetëm me eksplorimin e mundësive në stërvitje. Ai studjon me kujdes çdo etapë dhe ka objektivat e tij, si të thuash, për çdo kilometër të saj. Atij i duhet shpesh të ”driblojë” përmes spektatorëve të shumtë që presin me ditë të tëra për të parë idhullin e tyre. ... dhe nganjëherë, thjeshtë, nuk ia del....

Por këto janë humbje të vogla. Ai është mësuar të korrë fitore të mëdha, madje edhe me klavikul të thyer, siç ndodhi në një nga turet e mëparshme. Dhe fitorja për të është fanella e verdhë e fituesit në Shamps Elisee - Paris, finishi i etapës së fundit, siç ndodhi të djelën e 25 korrikut për të gjashtin vit radhazi.

XS
SM
MD
LG