Lidhje

Shqipëri: ministri Malaj pëcakton sfidat e Ministrisë së Financave - 2004-08-02


Në Shqipëri, Tatimet dhe Doganat zënë peshën kryesore në buxhetin e shtetit, duke përfaqësuar 65 përqind të të radhurave të tij. Për rrjedhojë, efikasiteti i këtyre dy administratave mbetet i një rëndësie të dorës së parë në ecurinë e zhvillimit ekonomik e social.

Në një takim me drejtuesit e të dy institucioneve, Ministri i Financave Arben Malaj tha se politikat fiskale të vendit tonë janë në përputhje me tendencën e nxitjes së zhvillimit të vendit, të nxitjes së investimeve e të rritjes së burimeve buxhetore që përdoren në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të shërbimeve publike. Ministri deklaroi se përsosja e administrimit fiskal, rritja e transparencës me taksapaguesit, reduktimi i barrierave, dhe lufta më efikase kundër shmangies fiskale mbeten sfida kryesore.

Sipas Ministrit të Financave, Tatimet dhe Doganat për 6 mujorin e parë të këtij viti kanë realizuar 98 përqind të planit. Por ai kërkoi që rritja e arkëtimeve të mos bëhet vetëm në kurriz të një numri të caktuar kompanish, duke kërkuar zgjerimin e bazës së takspaguesve:

“Asnjë nuk duhet të justifikohet me tregues apo shifra per realizimin e planit, për aq kohë sa perceptimi për strukturat tuaja duhet të ndryshojë pozitivisht.

Arritja 100 për qind e planit nuk duhet të synohet në një rritje arkëtimesh thjesht mbi një numër të caktuar kompanish. Ajo në asnjë rast nuk duhet të konvertohet në abuzivitet, ajo duhet të vijë nga një punë më e plotë me efektive e strukturave të fiskut. Treguesit e zgjerimit të bazës së taksave paguesve duhet të thellohen”, -tha ministri Malaj.

Të ardhurat nga taksat në Shqipëri vazhdojnë të mbeten problematike, duke penguar edhe uljen e tyre. Vetëm pak ditë më parë, në përfundim të takimeve të tij, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi se kur të ardhurat nga taksat të përmirësohen dhe të jenë reduktuar mospagesat, mund të ketë vend për uljen e normës së taksave në të ardhmen, duke paralajmëruar kështu një mosndryshim për vitin 2005, megjithë kërkesat e paraqitur nga biznesi.

Për këtë fakt, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri fajtor drejtuesit aktualë të qeverisë. Sipas tij, janë bizneset dhe monopolet e tyre që i shmangen pagesave të taksave dhe doganave, duke bërë të pamundur një ulje të taksave në favor të sipërmarrjes.

Edhe Fondi Monetar kërkoi përmirësime në zbatimin strikt dhe të bazuar në rregulla të ligjeve për taksat dhe doganat, në praktikat e rimbursimit të taksave dhe thjeshtimin e procedurave për dhënien e licencave.// lk //

XS
SM
MD
LG