Lidhje

Tom Ridge: Mbikqyrja nga Al-Kaida kishte filluar para 11 shtatorit 2001 - 2004-08-03


Zyrtarë të zbulimit amerikan thanë se mbikqyrja nga ana e rrjetit terrorist Al-Kaida të 5 ndërtesave, të cilat të dielën u vunën nën gadishmërinë e lartë ndaj kërcënimit terrorist, ishte bërë kryesisht para sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Zyrtarët thanë se shumica e informacionit rreth 5 qendrave financiare është 3 deri 4 vjeçar, madje ata nuk janë të sigurtë në se Al-Kaida vazhdon t’i mbikqyrë këto ndërtesa apo planifikon një sulm ndaj tyre.

Megjithatë, Sekretari i departamentit amerikan të sigurisë kombëtare, Tom Ridge, u bëri thirrje amerikanëve që të jenë vigjëlentë. Ai tha sot se pjesë të mbikqyrjes nga Al-Kaida u përmirësuan edhe në janar të këtij viti dhe shtoi se rrjeti terrorist zakonisht i planifikon sulmet e tij me kohë.

Në ndërtesat e përfshira në vendimin për ngritjen e shkallës së nivelit të gadishmërisë vazhdojnë të jenë në fuqi masa të rrepta sigurimi. Mes këtyre ndërtesave janë Bursa e New Yorkut, si dhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar këtu në Washington.

Ndërkohë, anëtarë të partisë konservatore britanike kritikuan përgjigjen e kryeministrit Tony Blair ndaj planeve për sulme terroriste të zbuluara kohët e fundit.

Zëdhënësi për marrëdhëniet e brendëshme në partinë konservatore, David Davis i bëri thirrje zotit Blair të japë hollësi për kërcënimet ndaj Britanisë.

Ministria e brendëshme e Britanisë është në gadishmëri të lartë. Por ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të cilat identifikuan pesë objekte të mundshme, qeveria e zotit Blair nuk kanë dhënë asnjë informacion specifik.

Zoti Davis tha se është e çuditshme që britanikët po marrin më shumë informacione nga Shtetet e Bashkuara sesa nga qeveria e tyre.

Por ekspertë të terrorizmit theksojnë se megjithëse nuk po thuhet aq shumë për kërcënimet në Britani nuk do të thotë se nuk po merren masat e duhura.

//ze//

XS
SM
MD
LG