Lidhje

Irak: Ekstremistët lirojnë 6 pengje, 4 shoferë jordanezë dhe 2 turq - 2004-08-04


Ekstremistët në Irak kanë liruar katër shoferë jordanezë dhe dy turq, të cilët mbaheshin peng.

Të katër pengjet jordaneze u rrëmbyen 8 ditë më parë në një autostradë në afërsi të Falluxhës.

Ata thanë se u liruan pasi anëtarë të një fisi vendas bastisën strehimin ku ata mbaheshin peng në periferi të qytetit, duke i trembur rrëmbyesit. Ata pritet të kthehen në Jordani të enjten.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Turqisë, Abdulah Gul, i tha agjencisë së lajmeve Anatolia se edhe dy pengjet turke u liruan. Dy shoferët e kamionit u rrëmbyen nga një grup ekstremist i lidhur me terroristin e lindur në Jordani, Abu Mussab al-Zarqawi.

Televizioni arab, Al Jazeera, transmetoi një video ku grupi kryengritës thoshte se shoferët turq u liruan sepse kompania turke për të cilën ata punon kishte rënë dakord që të ndalonte punën në Irak.

Po në Irak, në një zhvillim tjetër, njoftohet se 12 irakianë u vranë dhe djetra të tjerë u plagosën në përpjekjet ndërmjet forcave të policisë kryengritësve në Mosul. Luftimet filluan kur policia vuri re disa dhjetra njerëz me maska të armatosur me pushkë dhe raketahedhëse që lëviznin nëpër qytet.

Policia mbylli të paktën 3 ura dhe vendosi ndalim-qarkullimin në përpjekej për të shuar luftimet. Para se të fillonin luftimet, policia njoftoi për shpërthimin e një bombe në anë të rrugës e cila la dy të vdekur.

Ndërkaq, qeveria irakiane thotë se është shumë afër miratimit të një plani të shumëpritur për amnisti, i cili synon t’i jepet fund kryengritjes. Zyrtarët irakianë thonë se plani është finalizuar dhe do të përfshijë vetëm kryengritësit që nuk kanë lidhje direkte me vrasjet.

//ze//

XS
SM
MD
LG