Lidhje

Irak: Vriten një ushtar amerikan dhe të paktën 9 irakianë - 2004-08-05


Një ushtar amerikan dhe të paktën 9 irakianë u vranë në luftimet në jug të Irakut midis trupave amerikane e britanike dhe përkrahësve të klerikut radikal Moqtada Al-Sadr.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë në Irak thonë se sot, në qytetin jugor të Naxhafit u hap zjarr, që shkaktoi rrëzimin e një helikopteri të marinës, gjatë luftimeve intensive midis forcave amerikane dhe përkrahësve të klerikut radikal Moqtada Al-Sadr. Një zëdhënës tha se disa pjesëtarë të grupit u plagosën dhe u evakuan.

Ushtria tha se në Naxhaf shpërthyen gjatë natës luftime, kur autoritetet lokale kërkuan ndihmën e marinsave, pasi përkrahësit e klerikut kryen dy sulme ndaj stacionit kryesor të policisë. Zyrtarët e spitalit njoftuan se të paktën tre persona ishin vrarë gjatë sulmeve.

Ndërsa në qytetin e Basrës, të paktën dy milicë të forcave të al-Sadrit u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri midis përkrahësve të klerikut dhe trupave britanike.

Ndërkohë, një makinë bombë shpërtheu, duke vrarë të paktën 5 persona dhe plagosur më tepër se 20 të tjerë jashtë një stacioni policie në qytetin e Mahawilit, në jug të Bagdadit.

XS
SM
MD
LG