Lidhje

Këshilli i Sigurimit vlerëson gjendjen në Kosovë pas dhunës së marsit - 2004-08-05


Pas dhunës së marsit në Kosovë, është vërejtur një përparim i kufizuar por shpresëdhënës. Ky është përfundimi që nxjerr raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkaura Kofi Annan, i cili iu paraqit sot Këshillit të Sigurimit nga Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse Hedi Enabi. Në raport vlerësohet angazhimi i udhëheqësve të komuniteteve etnike në Kosovë për të filluar një dialog politik, por theksohet rëndësia jetike e angazhimit të komunitetit ndërkombëtar në proceset që vazhdojnë në Kosovë.

Raporti thekson se që pas dhunës së marsit përpjekjet në Kosovë janë përqëndruar në krijmimin e një mjedisi besimi ndërmjet komuniteteve dhe çuarjen përpara të dialogut politik ndërmjet udhëheqësve të këtyre komuniteteve.

Në prezantimin e tij, Ndihmës Sekretari Enabi vuri në dukje se kanë filluar përpjekjet për riparimin e dëmeve të dhunës së marsit dhe për krijimin e kushteve për një kthim të sigurtë të personave që u zhvendosën nga dhuna, për vendosjen e bazave për reforma në qeverinë vendore dhe për të çuar përpara procesin e standarteve. Megjithë sukseset e arritura, në përgjithësi përparimi është i brishtë.

Pakicat në Kosovë ende ndeshen me probleme të sigurimit dhe kufizim të lëvizjes, gjë që është rënduar pas dhunës së marsit dhe nuk ka njohur ndonjë përmirësim të dukshëm që pas këtyre incidenteve.

Janë bërë përparime në riparimin e shtëpive të dëmtuara nga dhuna, por 2 mijë e 400 veta ende janë të zhvendosur. Ka pasur kthim të kufizuar të personave të zhvendosur, por dhuna e marsit pati një ndikim negativ në këto përpjekje. Megjithatë UNMIK-u po punon me përfaqësues të komunitetit serb për të identifikuar drejtimet në punën për kthimin e personave të zhvendosur.

Pas një fillimi të ngadalshëm, shtoi zoti Enabi, rindërtimi i pronave të dëmtuara ka vazhduar me ritme më të kënaqshme, nën administrimin e autoriteteve të përkohshme të Kosovës. Synimi është të rindërtohen të gjitha shtëpitë para dimrit, dhe të gjitha shkollat para fillimit të vitit shkollor.

Udhëheqësit e Kosovës kanë bërë përpjekje shpresëdhënëse të ndreqin dëmin e shkaktuar në komunikimin ndërmjet komuniteteve nga dhuna e marsit, duke zhvilluar takime me pakicat etnike në Kosovë. Këto përpjekje duhet të pasohen me masa konkrete për të bërë realitet procesin e vështirë të ripajtimit.

Ka rëndësi vendimtare të rifillojë dialogu politik ndërmjet udhëheqësve të komuniteteve të Kosovës. Më14 korrik, udhëheqësit e dy komuniteteve u angazhuan të bashkëpunojnë në një numër drejtimesh, gjë që përbën një hap pozitiv, që duhet pasuar me masa konkrete.

Pas paraqitjes së planit për zbatimin e standarteve më 31 mars autoritetet e përkohshme të Kosovës kanë treguar një angazhim të ri për ta çuar përpara procesin duke caktuar afate konkrete dhe duke parashtruar parametra për analizimin e përparimit të bërë.

Ka pasur përparim në përpjekjet e UNMIK-ut dhe autoriteteve të përkohshme për fillimin e procesit të reformimit të pushtetit vendor në mënyrë që t’u kalohen më shumë përgjegjësive institucioneve vendore në përputhje me sugjerimet e komunitetit ndërkombëtar. Në këtë proces morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit serb dhe kontribuan në përgatitjen e tekstit të miratuar.

Autoritetet e përkohshme të Kosovës vazhdojnë përmirësimet në efikasitetin e punës. Por ata ende përqëndrohen në çështje simbolike, në vend që t’u kushtojnë vëmendje çështjeve konkrete dhe përpjekjeve për përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve të Kosovës. Këtu zoti Enabi veçoi propozimet për amendamente të kornizës kushtetuese, gjë që është kundërshtuar nga UNMIK-u si një veprim që i kapërcen autoritetet e këtij organi.

Kanë filluar përgatitjen teknike për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Për herë të parë këto përgatitje po drejtohen në masën dërrmuese nga autoritetet e përkohshme në Kosovë. Vazhdon puna për të mundësuar pjesëmarrjen e pakicave në zgjedhje, megjithëse nuk është ende e qartë nëse pakicat do të marrin pjesë. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje në institucionet e përkohshme është në interes të këtyre pakicave dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim është me rëndësi vendimtare.

Periudha që pas dhunës së marsit ka treguar përparime të kufizuara por shpresëdhënëse. Populli i Kosovës ka një rrugë të vështirë përpara për të zbatuar standartet, për ripajtimin etnik, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të krijuar një shoqëri të përparuar.

Zhvillimet që pas dhunës së marsit, përfundoi zoti Enadi, kanë treguar se megjithëse përgjegjësia për përparimin në Kosovë u takon përfaqësuesve të Kosovës dhe popullit të saj, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar ka rëndësi jetike për suksesin e këtyre përpjekjeve.

XS
SM
MD
LG