Lidhje

Mendimi i analistëve lidhur me paralajmërimet e fundit për sulme të mundshme terroriste në Amerikë - 2004-08-05


Paraljmërimi i fundit nga qeveria amerikane për kërcënime terroriste është i gjashti i nivelit të lartë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001. Por meqënëse asnjë sulm konkret nuk ka ndodhur, thonë ekspertët, amerikanët mund të vuajnë nga e ashtuquajtura “lodhje nga paralajmërimet”. Tom Le Greeca, një punëtor në New York, thotë se megjithë paralajmërimin për shkallën e lartë të sigurisë, jeta vazhdon normalisht.

“Ndërgjegjësimi për këtë situatë është më i madh se sa zakonisht, por jeta vazhdon dhe çdokush shkon në punë dhe ka të bëjë me trafikun e dendur dhe çështjet e sigurisë.”

John Pike, një analist me përvojë për mbrojtjen dhe sigurinë me kompaninë Global Security.org, thotë se popullsia po fiton imunitet ndaj paralajmërimeve. Por, thotë ai, kërcënimet e fundit mund ta zgjojnë popullin për vet faktin se janë shumë specifike.

“Njerzit patën filluar të mos i kushtonin rëndësi paralajmërimeve, sepse ata nuk dinin ç’të bënin rreth tyre si dhe nuk ndodhi asgjë. Por paralajmërimi i fundit është ndryshe. Ka njoftime specifike, ndaj të cilave, sidomos popullsia e zonave të prekura do të përqëndrohet në zhvillimet rreth rreziqeve terroriste.”

Por njoftimet se një pjesë e mirë e informacioneve mbi të cilat u bazua edhe paralajmërimi ishin disa vite të vjetra, ka ngjallur një përzierje frike, skepticizmi dhe bile ka ngritur edhe dyshime rreth motiveve politike në prag të zgjedhjeve. Larry Johnson, ish zëvendës drejtor i zyrës së kundër-terrorizmit në Departamentin e Shtetit dhe veteran i CIA-s, e cilëson paralajmërimin e fundit si ”reagim i tepruar dhe i pajustifikuar.”

“Ka disa nga ata që kanë frikë dhe shqetësohen shumë. Ndërsa nga ana tjetër ke ata që vënë në dyshim paralajmërimet. Pra situata nuk krijon ndonjë shqetësim të madh dhe faktikisht ngre dyshimet se gjithçka po bëhet për arsye politike...për t’i shërbyer fushatës elektorale.”

Duke folur këtë javë në New York, Drejtori për Mbrojtjen e Vendit Tom Ridge, hodhi poshtë fuqishëm motivacionet politike rreth paralajmërimeve.

“Hollësitë, sofistikimi dhe paraqitja e informacioneve që kemi...nëse çdokush do të kishte patur dijeninë që kemi ne, do të thoshte se kemi vepruar drejt. Qeveria duhet të njoftojë popullin rreth situatave të tilla. Kjo s’ka të bëjë me politikën. Kjo ka të bëjë me besimin tek shteti, që të njoftojë popullin atëherë kur ka informacione.”

Lajmet që kanë pasuar këtë paralajmërim, citojnë zyrtarë të qeverisë që kanë kërkuar të mos identifikohen, se pjesë të informacioneve të fshehta rreth sulmeve terroriste në New York, Washington dhe New Jersey, faktikisht ishin më të freskëta se sa sygjeronin njoftimet e mëparshme. Ish zyrtari i kundër-terrorizmit, Larry Johnson, thotë se qeveria duhet të jetë më e gjykueshme kur jep paralajmërime për sulme të mundshme terroriste që të mos e lodh popullsinë.

“E pranoj se ka ujqër në këtë botë. Nuk po them se nuk ka kërcënime apo që terrorizmi nuk egziston. Por po them që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me informacionet që u japin njerëzve, dhe pastaj nuk ndodh gjë.”

Ekspertët thonë gjithashtu, se publiku po merr një mesazh paksa të ngatërruar nga qeveria. Njerëzve po u thuhet në njërën anë që të jenë vigjilentë për aktivitete të mundshme terroriste, por në të njëjtën kohë atyre u kërkohet që vazhdojnë jetën e tyre normalisht.

XS
SM
MD
LG