Lidhje

Studentët e huaj në universitetet amerikane - 2004-08-06


Cdo vit, mijëra vetë nga e gjithë bota studiojnë në universitetet amerikane. Që nga 11 shtatori 2001, studentëve të huaj u është dashur të kalojnë përmes më shumë procedurave të sigurisë për tu paisur me viza për të studiuar në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se rregullat e reja po funksionojnë.

Pas sulmeve terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara, studentëve të huaj dhe vizitorëve u është dashur të kalojnë përmes një procesi të gjatë intervistash dhe dokumentacioni për studiuar në Amerikë. Që nga janari i 2003-shit, universitetet amerikane kanë përdorur sistemin e ri SEVIS për informacionet rreth vizitorëve dhe studentëve të huaj. Ky sistem, i lidhur përmes internetit, i ndihmon instuticionet akademike të bashkëpunojnë me agjencitë shtetërore për të monitoruar aktivitetet dhe statusin e studentëve të huaj.

Asa Hutchinson merret me çështjet e sigurimit të transporteve dhe kufirit në Departamentin për Mbrojtjen e Vendit. Ai thotë se megjithë vëzhgimet e nevojshme, Amerika i mirëpret studentët e huaj.

”Studentët dhe vizitorët e huaj janë një pjesë e rëndësishme në vazhdimin e funksionimit të demokracisë Amerikane. Ata e pasurojnë Amerikën me përvojën e tyre dhe vështrimin ndaj botës, njohuritë dhe entuziazmin që ndajnë me miqtë e tyre studentë dhe me të gjithë Amerikën. Dua të theksoj se masat e reja nuk kanë për qëllim ndalimin e studentëve të huaj që të shkollohen në Amerikë.”

Megjithatë, ndër 770 mijë studentë, sistemi SEVIS gjeti mijëra shkelje. Këto çështje u hetuan më tej dhe disa mijëra njerëzve iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara ndërsa 155 të tjerë janë arrestuar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare synon ta bëjë Amerikën edhe më të sigurtë, por zyrtarët thonë gjithashtu se duan ta bëjnë procesin më të lehtë për studentët. Për këtë, ka një grup special që ndihmon studentët dhe vizitorët e huaj. Dhe muajt e fundit, njofton Departamenti i Sigurisë, studentët i janë përshtatur më mirë procesit të ri.

//ze//

XS
SM
MD
LG