Lidhje

Njoftohet për 300 luftëtarë të milicive shiite të vrarë në Naxhaf - 2004-08-06


Sipas llogaritjeve të ushtrisë amerikane 300 luftëtarë të milicive shiite janë vrarë gjatë luftimeve të dy ditëve të fundit ndërmjet forcave amerikane dhe luftëtarëve besnikë të klerikut radikal shiit Moktada al-Sadr në qytetin e shenjtë të Naxhafit. Në luftime u vranë edhe 3 ushtarë amerikanë.

Forcat amerikane sulmuan nga ajri pozicionet e milicive në Naxhaf, ndërkohë që luftimet vazhdonin edhe në qytete të tjera, përfshirë edhe një lagje në Bagdat.

Përleshjet ringjallën kryengritjen shiite që përfundoi dy muaj më parë, megjithëse ndihmësit e klerikut al-Sadr kanë bërë thirje për rivendosjen e armpushimit. Në lutjet e sotme kleriku i cilësoi Shtetet e Bashkuara si armik. Në qytetin Samarra, shpëthyen mbrëmë luftime nga të cilat gjetën vdekjen të paktën 3 irakianëve.

Ndërkohë, burime të medias dhe të qeverisë libaneze thonë se 4 shoferë libanezë kamionësh janë rrëmbyer në Irak. Fillimisht u njoftua se personat rezultonin të zhdukur por sipas njoftimeve të fundit, ata ishin rrëmbyer dje kur udhëtonin në një rrugë midis Bagdatit dhe Ramadit, një rajon i tensionuar në perëndim të kryeqytetit. Një libanez i pestë u rrëmbye në fillim të kësaj jave në Bagdat. Për fatin e tij nuk ka patur njoftime.

Ministria e jashtëme turke thotë se po përpiqet për lirimin e tre shtetasve të saj të rrëmbyer në Irak. Zyrtarët nuk dhanë hollësi të tjera. Ministria njoftoi se dy turq të tjerë rezultojnë të zhdukur por nuk është e qartë nëse ata janë rrëmbyer.

//ze//

XS
SM
MD
LG