Lidhje

Ura e Mostarit: kryevepër arkitekturiale dhe simbol paqeje - 2004-08-07


Autoritete nga e gjithë bota u mblodhën kohët e fundit në Bosnje për të marrë pjesë në përurimin e një kryevepre arkitekturiale dhe simboli paqeje, Urës së Vjetër të Mostarit. Ajo ishte shkatërruar në vitin 1993 gjatë luftës së Bosnjes. Ura është ngritur që në periudhën otomane dhe është simboli i një shoqërie shumëetnike. Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995, synonte pikërisht ringjalljen e një shoqërie të tillë.

Për më shumë se 4 shekuj, ura e gurtë e ndërtuar nga sunduesit otomanë të Bosnjes për të lidhur anën lindore me atë perëndimore të qytetit të Mostarit kalonte mbi lumin e vrullshëm në ngjyrë blu dhe të gjelbër Neretva. Vetëm pasi bombardimet serbe dhe kroate e shkatërruan Urën e Vjetër të Mostarit në nëntor të vitit 1993, pjesa tjetër e botës u bë e ndërgjegjshme për bukurinë që kishte pasur kjo kryevepër arkitekturiale dhe filloi ta shihte atë si simbolin e një shoqërie shumëkulturore që po zhdukej me shpejtësi.

Profesor Michael Sells, autor i librit “Ura e Tradhëtuar: Feja dhe Genocidi në Bosnje”, thotë se Ura e Vjetër u shkatërrua jo për arsye ushtarake por për shkak të rëndësisë së saj simbolike dhe historike.

“Me kalimin e shekujve ura u kthye në simbol të shoqërisë pluraliste dhe të një civilizimi të përbërë nga besime dhe përkatësi të ndryshme etnike me elementë të përbashkët kulturorë, emblemë e të cilave ishte vetë ura. Ura shihej si një mrekulli, kur u ndërtua në vitin 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh, sepse dukej e pamundur që ajo të mund të qëndronte me një gjatësi të tillë. Është aq e lartë dhe i lidh dy brigjet e lumit me një gërshetim aq të mahnitshëm hijeshie dhe force. Për kohën konsiderohej një mrekulli inxhinierike. Madje edhe kur u përpoqën ta shkatërrojnë me artilieri, nuk arritën ta rrëzonin. U desh artilieria moderne për t’ia arritur qëllimit. Ajo simbolizonte Bosnjen, aty ku kryqëzoheshin botët e krishtërimit, hebraizmi dhe myslimanizimit”.-shkruan ai.

Kur shpërtheu lufta mes serbëve ortodoksë, kroatëve katolikë dhe myslimanëve boshnjakë, shpjegon profesori Sells, milicia serbe me mbështetjen e Ushtrisë Jugosllave, u përpoq të vinte nën kontroll Mostarin Lindor, në anën e lumit kryesisht të banuar nga myslimanë.

Ushtarët e qeverisë boshnjake dhe milicia kroate luftuan së bashku dhe e zmbrapsën ushtrinë serbe, por më pas milicia kroate, filloi një fushatë spastrimi etnik dhe një përpjekje të organizuar kundër serbëve ortodoksë dhe myslimanëve. Profesor Sells thotë se përpjekjet për shkatërrimin e urës, ishin një deklaratë se civilizimi dhe mbijetesa e mëparshme nuk ishin më të vlefshme.

Një grup ndërkombëtar ekspertësh punoi katër vjet për rindërtimin e urës. Michael Sells e konsideron rindërtimin e saj një triumf të shpirtit njerëzor: “Në shumë kuptime, është një fitore e madhe për të gjithë ata që nuk pranuan të largoheshin që nuk lejuan t’u shkatërroheshin ëndrrat. Për shumë njerëz është një triumf i ëmbël, por edhe i huidhur sepse ura është përsëri aty, por duhet ende shumë punë që të rindërtohet plotësisht ura sociale”, thotë ai.

Megjithatë, Profesor Sells thotë se është vërtet për t’u habitur sesa kanë ndryshuar gjërat atje për 10 vjet, nga një vend në prag të shkretimit absolut në një vend ku vërtet ka ende shumë vështirësi, por ku çdo vit bëhet një përparim i jashtëzakonshëm.

Por ekspertë të të tjerë të çështjeve të Ballkanit nuk janë edhe aq optimistë. Daniel Nelson, dekan i Fakultetit të Artit dhe Shkencës në Universitetin e New Havenit, thotë se ceremonitë madhështore të përurimit të urës së rindërtuar janë në kontrast me realitetin politik.

“Ishte një ceremoni e shkëlqyer, nëse e shohim vetëm nga ana e festimeve sepse morën pjesë diplomatët kryesorë të Evropës, si edhe shumë njerëz të tjerë. Por në aspekte të tjera, nëse flet me njerëzit që jetojnë përreth, atyre nuk mendoj se iu duk aq me shumë kuptim, sa ç’e përshkroi media. Problemi është se nuk ka patur transformim shoqëror dhe politik. Në pjesën më të madhe ka qenë një dështim i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë në këto vjet. Ka politikanë shumë nacionalistë. Domethënë, ndasitë janë po aty, siç kanë qenë gjithmonë”.- thotë Nelson.

Shumë analistë thonë se përpjekjet për rindërtim të krijojnë ndjesi kontradiktore. Dhe kur civilizimi është dëmtuar keq, si në rastin e Bosnjes, ringjallja e harmonisë që simbolizon Ura e Vjetër e Mostarit mund të jetë e pamundur, sado të mëdha të jenë dëshirat dhe ëndërrat.// lk //

XS
SM
MD
LG