Lidhje

Athina, gati për fillimin e Lojrave Olimpike - 2004-08-08


Organizatorët e Lojrave Olimpike të Athinës i deklaruan Komitetit Olimpik Ndërkombëtar se kryeqyteti grek është gati për fillimin e tyre.

Në një raport dërguar sot Bordit Ekzekutiv të Komitetit, organizatorët thoshin se çdo gjë është gati, pesë ditë para se në stadiumin e Athinës të ndizet flaka olimpike.

Greqia ishte prapa me ndërtimet e objekteve sportive pët Olimpiket, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe burokracisë. Vetëm dy muaj më parë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ishte i shqetësuar se një numër objektesh mund të mos përfundonin në kohë.

Organizatorët gjithashtu i minimizonin në raport shqetësimet për terrorizmin, duke thënë se masat e sigurisë të marra në Athinë janë të papara në historinë e Lojrave Olimpike. Këto masa kanë kushtuar 1,5 miliard dollarë, që në vetvete përbën një shifër rekord.

Arrestohet një person me armë

Një shtetas grek u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës për shkak se iu gjet një revolver i vogël.

Personi, i cili nuk është identifikuar ende, u arrestua sot në mëngjes kur policia i gjeti në bagazhin e dorës një armë në formë stilolapsi.

Policia tha se personi në fjalë po hipte në një avion të linjave të brendshme për të shkuar me pushime në një ishull të Egjeut. Ai tha se kishte harruar që e kishte armën në bagazh.

Sipas policisë, incidenti nuk përbën aspak ndonjë kërcënim për Lojrat Olimpike.

Policia greke i ka shtuar në mënyrë dramatike masat e sigurisë në aeroportin e Athinës, ku po arrijnë mijra atletë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në Lojrat që hapen të premten.// lk //

XS
SM
MD
LG