Lidhje

Ralf Nader - "i treti" i garës presidenciale - 2004-08-09


Një nga kanditatët në zgjedhjet presidenciale të këtij viti është politikani Ralph Nader, i cili thotë se është mbrojtës i të drejtave të konsumatorëve. Megjithëse për të nuk është folur dhe aq shumë, zoti Nader nuk ka mbetur jashtë polemikave. Ai është përgojuar nga shumë njerëz si njeriu që u prish punë kandidatëve rivalë, për shembull ai u kritikua nga demokratët 4 vjet më parë se i prishi punë kandidatit Al Gore për të fituar presidencën. Por pavarësisht nga kritikat ai merr pjesë për herë të katërt në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Zërat e të pakënaqurve nuk i bëjnë shumë përshtypje Ralph Naderit. Mbrojtësi i konsumatorëve përcjell një mesazh të njohur, duke u përpjekur të tërheqë amerikanët që janë të lodhur nga politika.

"Jam në garë pasi mendoj se sistemi i dy partive nuk funksionon. Mendoj se politika nuk funksionon dhe është e korruptuar dhe se shumë amerikanë janë dakord me këtë. Ky është një sistem i zhytur në paratë e reklamave të mëdha që e mbajnë gjallë",- thotë ai.

Zoti Nader tha se si partia republikane edhe ajo demokrate ndjekin interesat e korporatave. Kritika ndaj korporatave është një temë e njohur për zotin Nader. Ish avokati, filloi të njihet si figurë në vitet 60. Ai u bë u njohur si mbrojtës i publikut kundër qeverisë dhe bizneseve të mëdha. Ai detyroi industrinë e automobilave të bënte makina më të sigurta, luftoi për Ligjin e Lirisë së Informacionit që kërkon publikimin e dokumenteve qeveritare si dhe për Ligjin mbi Ajrin e Pastër.

Nader hyri në politikë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992 dhe përsëri në vitin 1996 e 2000 si kandidat i partisë së gjelbërt. Në vitin 2000 zoti Nader fitoi më pak se tre përqind të votës popullore. Por ai fitoi më shumë se 97 mijë vota në Florida, duke zemëruar demokratët që e akuzuan për humbjen e Al Gorit. Zoti Gore humbi votën popullore në Florida me vetëm 537 vota.

Kësaj here demokratët thonë se republikanët po e përdorin zotin Nader si armë për të tërhequr vota nga kandidati presidencial John Kerry. Republikanët po përpiqen të fusin zotin Nader në zgjedhjet e shumë shteteve.

Stephen Hess - ekspert në Institutin Brookings, mendon paraqitja e zotit Nader në zgjedhje këtë vit mund të lëkundë votën popullore në disa shtete por ndoshta nuk do të vendosë rezultatin e zgjedhjeve.

"Njerëzit e kuptojnë se çdo votë ka rëndësi. Mund të ketë 100 milion vota por një më shumë ka rëndësi. Kështu që mendoj se do të ketë më pak njerëz që do të votojnë për Ralph Naderin gjë që mund të jetë thjesht arsye strategjike më shumë se sa arsye për ta zgjedhur atë vërtet si president",- thotë zoti Hess.

Por përse zoti Nader vazhdon të hyjë në garën presidenciale, megjithëse dihet se ka pak shanse për të fituar?

“Duke e bërë këtë, me popullaritetin që ka dhe sigurisht një numër i madh njerëzish në mbarë vendin kanë besim tek ai, kjo i jep zotit Nader një platformë, i jep atij një mundësi për të theksuar si ato që beson edhe ato që mendon se i prishin punë kandidatëve të tjerë,” thotë zoti Hess.

Nader thotë se presidenti Bush keqinformoi vendin për luftën në Irak dhe se lufta ishte gabim. Ai ka kritikuar demokratët për atë që e quan mungesë imagjinate dhe për përpjekjet e tyre që ta mbajnë atë larg zgjedhjeve.

Stephen Hess thotë se zoti Nader nuk ka asnjë shans për të fituar por përkrahja që ai gëzon mban gjallë debatin që shpesh çon në ndryshime të procesit politik.// lk //

XS
SM
MD
LG