Lidhje

Sport: Andre Agassi u rikthehet titujve - 2004-08-09


Tenisti veteran amerikan, Andre Agassi, i dha fund një periudhe 16-mujore pa asnjë titull duke fituar ndaj australianit Lleyton Hewitt në finalen e Turneut të Mjeshtrave në Cincinnati.

Agassi, i cili mundi më parë në gjysmë finale amerikanin tjetër, Andy Rodick, kurorëzoi dje fitoren e 59-të në karrierën e tij me rezultatin 2-1 duke fituar setin e parë 6-3, humbur të dytin 3-6 dhe fituar setin final 6-2. Titulli i këtij turneu është i pari për Agassin që nga prilli i vitit të kaluar. Kurse për australianin Hewitt mund të themi se ai e ka humbur në finalen e këtij turneu edhe vjet.

Agassi, pasi është përpjekur me forcë gjatë gjithë kohës që nga nëntori i kaluar, u shpreh se ka fituar besimin e duhur për Turneun Amerikan për Fusha të Fapura i cili fillon në fund të gushtit në New York. Ky është titulli i tretë i Agassit në Turneun e Mjeshtrave në Cincinnati, pas fitoreve në vitin 95 dhe 96. Që të tre, Aggasi, Hewitt dhe Rodick kanë qenë tenistë Numër 1 të botës.

Po të djelën, në tenisin për femra, Numri 2 i botës, Amelie Mauresmo, mundi të djelën Elena Likhovtsevën e Rusisë në një finale që zgjati vetëm 51 minuta dhe fitoi kupën Rogers në Montreal të Kanadasë për herë të dytë në tre vjet.

Pasi kishte fituar sivjet turne në Berlin dhe Romë, francezja Mauresmo e mposhti Likhotsevën 2-0 me rezutate të seteve 6-1 dhe 6-0.

Basketboll: SHBA mund Turqinë dhe Serbinë e Malin e Zi

Ekipi amerikan olimpik i basketbollit fitoi ndaj Turqisë 79-67. Ekipi vendas ishte vetëm tri pikë pas amerikanëve deri 3 minuta e gjysëm para përfundimit të ndeshjes dhe ekipit amerikan iu desh të përdorte një mbrojtje agresive për të siguruar fitoren.

Për amerikanët më të mirët ishin Tim Duncan me 16 pikë dhe Allen Iverson me 13. Për ekipin turk më të mirët ishin Ibrahim Kutluay me 19 pikë dhe Serkan Erdogan me 17.

Të premten ekipi amerikan fitoi në Beograd me 18 pikë diferencë ndaj ekipit të Serbisë dhe Malit të Zi. Në ndeshjen e cila përfundoi 78-60, të dyja skuadrat përdorën mbrojtje individuale, gjë që ekipi i Serbisë dhe Malit të Zi nuk e kishte bërë në ndeshjet miqësore me përfaqësuesen gjermane dhe atë italiane. Në këtë ndeshje spikati dueli ndërmjet Dejan Bodirogës dhe Carmelo Anthony-t.

Marion Jones - rezutate premtuese për në Lojrat Olimpike

Atletja amerikane, Marion Jones, në një takim në prag të lojrave olipmpike me Francën dhe Gjermaninë në Mynih, fitoi garën e kërcimit së gjati dhe stafetën e 100 metrave.

Duke konkuruar për herë të parë në më shumë se tri javë, Jones kërceu 6 metra e 82 centimetra në provën e saj të fundit duke u radhitur e para. Megjithatë, ky rezultat ishte më i ulët se në garat përzgjedhëse të atletëve amerikanë për ekipin olimpik muajin e kaluar. Në këto gara ajo kërceu së gjati 7 metra e 11 centimetra.

Jones është kampione e tri garave në Lojrat Olimpike të Sidnejt në vitin 2000, por këtë radhë ajo është kualifikuar të konkurojë vetëm në garën e kërcimit së gjati. Megjithatë ajo shpreson që të zgjidhet gjithashtu si pjesëtare e ekipit për garën e stafetës. Të djelën ajo mori pjesë edhe në garën e stafetës së 100 metrave. Ekipi amerikan e përfundoi këtë garë në 41 sekonda e 37 të qindtat - koha më e mirë sivjet në botë për këtë garë. //az//

XS
SM
MD
LG