Lidhje

Mjekët pa Kufij po largohen nga Afganistani - 2004-08-11


Mjekët pa Kufij po largohen nga Afganistani. Kjo organizatë humanitare, fituese e çmimit Nobel, thotë se po i jep fund programit të saj në atë vend për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Kenny Gluck, zyrtar i grupit Mjekët pa Kufij, thotë se vendimi për t’u larguar nga Afganistani ishte i vështirë. 5 prej anëtarëve të personelit të kësaj organizate u vranë në muajin qershor. Autorët e këtyre vrasjeve nuk janë nxjerrë ende para drejtësisë.

Zëvëndës-zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Adam Ereli tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që organizata Mjekët pa Kufij të rishqyrtojë vendimin e saj.

“Ata kanë qënë atje për 24 vjet. Ata gëzojnë respekt të madh në gjithë botën pikërisht për arsye të rreziqeve që kanë qënë të gatshëm të ndërmarrin dhe sakrificave që kanë bërë për t’u dhënë fund vuajtjeve të njerzve.”

Zoti Ereli tha se vënie me qëllim në shënjestër e punonjësve të ndihmave ka një qëllim, i cili është: të ndalohet përparimi në Afganistan.

“Ne jemi të angazhuar, mendoj se komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar të garantojë sigurinë në Afganistan. Ne kemi bërë shumë punë për sa i përket stërvitjes dhe kualifikimit të forcave policore dhe ushtarake afgane. Duket qartë se janë ndërmarë veprime të dënueshme dhe që kanë vënë në shënjestër punonjësit e ndihmave, por puna që ata po bëjnë është e rëndësishme. Ne shpresojmë se ata mund të gjejnë një mënyrë për të qëndruar.”

Shtetet e Bashkuara, tha zëvëndës-zëdhënësi i departamentit të shtetit Ereli, janë të angazhuara që të vazhdojnë ta ndihmojnë Afganistanin.

“Në Afganistan po bëhet përparim i madh. Është me rëndësi të shikohet ecuria e procesit të regjistrimit. Deri tani mbi 8 milion votues janë regjistruar, prej të cilëve, 40 përqind janë gra, për të marrë pjesë në zgjedhjet e para presidenciale të Afganistanit. Ka pasur disa akte dhune. Ka pasur pengesa, por mësimi i nxjerrë nga ky proces është se vullneti i popullit nuk do të pengohet.”

“Lufta kundër atyre që përpiqen të prishin qëndrueshmërinë në Afganistan do të vazhdojë për një kohë të gjatë, tha presidenti afgan Hamid Karzai, dhe nuk do ta pengojë Afganistanin që të arrijë atë që dëshiron të arrijë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG